Nishani nderon me titullin Nderi i kombit Komunën Kelmend
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani nderoi me titullin Nderi i kombit Komunën Kelmend gjatë aktivitetit Logu i Bjeshkëve, një veprimtari kjo e përvitshme me qindra të ftuar, banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora.
Titulli i dhënë mban motivacionin Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj.
Duke vlerësuar Logun e Bjeshkëve, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë.
Nëse do të kishim për zemër fatet e kulturës shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm tu bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike dhe patriotike si Logu i Bjeshkëve, por duhet tu bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendencë zhbirues- tha Nishani.
Ai vlerësoi trashëgiminë e trevës si shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte lirshëm fjalën e saj, madje dhe votonte.
Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që Logu i Bjeshkëve duhet tia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane- tha me tej Nishani.
Ai prezantoi të bijën, Fiona, të veshur në shenjë respekti dhe admirimi me një kostum popullor të kësaj krahine, e me pas ndoqi së bashku me familjen e tij të gjithë manifestimin Logu i Bjeshkëve, në fund të të cilit u përshëndet ngrohtësisht dhe bisedoi nga afër me banorët e Kelmendit dhe të ftuarit e tjerë.