E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia:Tetë ministri s’paguajnë taksat

 Bashkia e Tiranës publikoi dje një tjetër listë institucionesh që rezultojnë të jenë debitore ndaj saj. Janë 8 ministri, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet. “Dëshirojmë të denoncojmë publikisht një numër institucionesh, të cilat janë debitore ndaj Bashkisë së Tiranës duke mos paguar detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet”, tha zëdhënësja për shtyp e bashkisë, Joana Bushi. Sipas saj, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve bashkë me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Mbrojtjes me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të saj të varësisë nuk kanë shlyer detyrimet ndaj Bashkisë së Tiranës. “Tiranën evropiane mund ta ndërtojmë vetëm nëse të gjithë jemi të përgjegjshëm dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë në radhë të parë nga funksionaret e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve qeveritare, të cilët fatkeqësisht shumicën e orarit zyrtar të punës e shfrytëzojnë duke shpifur e trilluar në kurriz të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në deklaratën e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›