E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligj, tatimorët mund të bllokojnë edhe kompjuterin e biznesmenëve

 Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar dje lidhur me projektligjin e procedurave tatimore dhe më saktë për një shtesë që i është bërë këtij projektligji. Pika tre e nenit 127 është kthyer në çështjen e debatit dhe ku komisionarët nuk kanë ndarë të njëjtin opinion. “Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t’ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe fiskale e mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e veprimtarisë së tij”, thuhet në këtë pikë. Lidhur me këtë deputeti Florjan Mima u shpreh se kjo do t’i japë fund abuzimeve që mund të vinë nga inspektorë të pandërgjegjshëm dhe gjithçka do të ndiqet hap pas hapi në mënyrë që të mbyllen të gjitha shtigjet e mundshme për një abuzim. “Ky është një projektligj ku si shembull janë marrë modelet më të mira në botë, është marrë nga Kodi Botëror i Tatimeve dhe nga përvoja e vendeve të OECD-së, dhe si projektligj është i plotë për të hapur rrugën në këtë aspekt pastaj janë procedure ato që i bëjnë më të qarta gjërat”, u shpreh Mima. Por nuk kanë ndarë të njëjtin mendim anëtarë të tjerë të Komisionit të Ekonomisë. Shkelja e privatësisë ka qenë një nga pikat e diskutimit sepse në kompjuter nuk mbahen vetëm dokumentet e punës. Një tjetër kundërshtim për këtë projektligj ka qenë ai i Igli Carës, i cili nuk ka qenë dakord me sekuestrimin një mujor të aparateve, sepse kjo do të shkaktonte në një farë mënyre një paralizim të punës. “Kush paguan humbjet e një muaji pa punë dhe pa aparatet e nevojshme. Kjo nuk më duket aspak logjike. Një biznes që i merren të gjitha aparatet mos duhet të investojë për të reja gjatë atij muaji?”, ka thënë Cara. Komisioni ka mbyllur diskutimet lidhur me projektligjin e taksave duke lënë të kuptohej se mbeten akoma për të diskutuar disa pika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›