E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Fino: Franca ka kualitete, por nuk duhet te luajmë si inferiorë

/* */

Dash FRASHËRI -  Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, 48 vjeç, është një nga politikanët më të pasionuar pas futbollit.

Ish-kryeministri i Shqipërisë (11 mars 1997-27 korrik 1997) nuk mungon kurrë në ndeshjet e Komëbtares shqiptare dhe njihet nga të gjithë si një ekspert. Ish-ministri i Ekonomisë, njihet për analizat e holla të tij për futbollin, sidomos në krahasimet dhe referencat statistikore, por dhe batutat e tij.

“Kush fiton në Shqipëri-Francë? Gjithmonë Saliu (Berisha), pasi ai është edhe me Shqipërinë, por dhe me Francën. Për mua e rëndësishme është që të bëjmë lojë të bukur. Në qoftë se do të bëjmë lojë të bukur dhe pa inferioritet, diçka  mund të arrijmë në fushën e lojës”, - tha ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës (1992-1997) gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”. Bashkim Fino pasoi në detyrën e kryeministrit Aleksandër Meksin e PD-së, duke ia dorëzuar më pas postin Fatos Nanos së PS-së.

* * *

Zoti Bashkim Fino, të premten, Shqipëria do të luajë kundër Francës, një ndeshje që ka ndezur atmosferën sportive në Tiranë. Si një pasionant i madh futbolli si po e përjetoni atë?

Është një ndeshje shumë interesante. Për më tepër për momentin kur do të luhet ajo. Të luash me Francën, kampione e botës (1998), në Shqipëri, në këtë fillim sezoni futbollistik është kënaqësi e madhe. Mendoj se ne e kemi të vështirë, për të arritur ndonjë rezultat pozitiv, duke pasur parasysh kualitetet që ka Franca. Për mua e rëndësishme është të bëjmë lojë të bukur. Në qoftë se do të bëjmë lojë të bukur dhe pa inferioritet, diçka  mund të arrijmë në fushën e lojës. Besoj se Franca e ka shumë të lehtë për të kalaur dhe fituar me ne.  

Në dy ndeshjet e vetme kundër francezëve, jemi mundur 1-0 në Tiranë (nëntor 1990) dhe 5-0 në Paris (mars 1991). Kanë kaluar tashmë 20 vjet nga ajo kohë. Si do ta gjykonit ecurinë dhe zhvillimin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe?

Shqipëria nuk mendoj se ka bërë ndonjë ndryshim të madh në futtboll, s’e besoj. Ka ecur më shumë Franca. Mos harroni se gjatë këtyre 20 viteve, Franca ka dalë kampione e botës, ndërkohë që Shqipëria nuk kaluar ndonjë vazo, pale të shkojë në ndonjë finale europiani apo botërori. Sigurisht, që do të bëj tifozllëk për Shqipërinë, por e kemi shumë të vështirë ndaj tyre për të thënë të drejtën.Mos është ndoshta ky një gjykim i ashpër?

Nëse ti arrin 7-8-9 pikë dhe ngelesh i dyti nga fundi, për çdo sezon në grupin tënd, qofshin këto eliminatore të kampionatit botëror apo europian, nuk ke bërë atë që duhet. Domethënë, kot investimin që kë bërë me në rrogë të majme për trajnerin e huaj, ndërkohë që kjo nuk ka të bëjë me trajnerin e huaj, sesa me elementët që ke në Shqipëri dhe me futbollistët, që luajnë jashtë app brenda. Më thoni, nga gjithë këta trajnerë të huaj, cili nga këta mbahet mend që Shqipëria ka arritur të kualifikohet apo të jetë e dyta apo e treta në renditje në grupin e saj. Asnjë.

Gjithsesi, disa fitore të bujshme janë regjistruar, si ato të Brigelit me Rusinë (3-1) dhe Greqinë (2-1), apo dhe ato të Bariçit, Hanit apo Kuzhesë, apo jo?

(Qesh) Disa fitore do të jenë pasi një ndeshje futbolli ka fitoren, barazimin dhe humbjen. Unë flas në përgjithësi. Kur mbaron një kampionat, bëhët një analizë. Këtu nuk bëhet fjalë, shiko unë fitova një ndeshje, apo bëra tri ndeshje të bukura. Gjithmonë ka një tregues dhe ky është pikaverazhi që grumbullon. Mund të fitosh një apo dy ndeshje, por ndërkohë nuk ke kaluar aq kundërshtarë sa duhet. Mund të ndodhë, që të premten mund të luash një ndeshje të shkëlqyer, dhe mbase barazojmë me Francën, dhe të ndodhë që pas katër ditësh të humbasësh me Luksemburgun. Do të thotë që gjithë atë imazh të bukur, që mund të krijosh me Francën, ta rrëzosh me Luksemburgun.

Me siguri që shkoni shpesh në stadium për të ndjekur Kombëtaren apo jo?
Po, ndeshjet e Kombëtares i ndjek gjithmonë. Me vështirësi ne të opozitës se nuk na japin shumë bileta, (qesh), por do të jem atje me tifozët, pasi tribunën qëndrore e ka zënë qeveritarët dhe ministra që nuk e njohin futbollin, por që venë thjesht se janë ministra. Këta të Federatës Shqiptare të Futbollit jaën bërë njësh me Qeverinë, ndërsa ne do të shkojmë me popullin (qesh).

Tifoz i Italisë

Bashkim Fino është tifoz i Italisë, por ka qejf dhe Brazilin, por kur luan Kombëtarja, zemra e tij rreh vetëm për Shqipërinë.
 
Pasionant futbolli

“E ndjek vazhdimisht futbollin. Lexoj dhe shikoj shumë. Është një nga pasionet e mëdha të miat. Një nga hobet e mia”.

Fans i Interit
“Jam interist i thekur, por këtë vit është paksa e vështirë. Tripleta e sezonit 2009-2010 nuk arrihet më”

Adhurues i Zhoze Murinjos

Bashkim Fino është një adhurues i trajnerit të Realit të Madridit, Zhoze Murinjos, ndoshta dhe për faktin se portugezi në krye të Interit fitoi Ligën e Kampioneve (i mungonte zikaltëve nga viti 1964), por dhe kampionatin dhe Kupën e Italisë. “Hoze Murinjo është një trajner i madh, madje një nga më të mëdhenjtë në botë aktualisht. Shikoni se çfarë po bën këtë vit me Realin e Madridit, e ka transformuar. Nga sezoni i kaluar me atë tani, ka një ndryshim të madh, jo vetëm se fitoi 6-0 me Zaragozën në kampionat, por për atë që dha në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës. Të gjitha përgjegjësitë i mban vetë dhe i mbështet lojtarët”.

1997-ta, emigrimi i Kombëtares

Gjatë vitit të mbrapshtë 1997, për shkak të mungesës së rendit publik në Shqipëri, Kombëtarja luajti tri ndeshje jashtë fushës së saj, edhe pse ishte ajo pritëse, pikërisht takimet Shqipëri-Ukrainë 0-1, në Granada të Spanjës (29 mars 1997); Shqipëri-Gjermani 2-3, po në Granada (2 prill 1997) dhe Shqipëri-Irlandë e Veriurt 1-0, në Zyrih të Zvicrës (10 shtator 1997). Kjo periudhë përkoi me të qenit të Bashkim Finos si kryeministër. “Ishte normale që të zhvilloheshin jashtë, pasi situata këtu nuk e mundësonte zhvillimin normal të tyre”, - tha ish-kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Bashkim Fino.

Luftëtari, me ekip për Superligë

Luftëtari i Gjirokastrës, skuadra e zemrës e Bashkim Finos (tjetra është Partizani) i mungon Kategorisë Superiore nga sezoni 2007-2008. “Sigurisht që më vjen keq, që Luftëtari mungon prej tre sezonesh, por besoj se këtë vit po bëjnë një ekip të mirë. Jam i interesuar përmes kryetarit të Bashkisë (Flamur Bime), por dhe me trajnerin (Mustafa Hysi) mbi gjendjen e skuadrës. Isha dhe vetë disa ditë për pushime në Gjirokastër, dhe po lexoj dhe po informohem se po bëhet një ekip i mirë, po grumbullohen të gjithë gjirokastritët që kanë luajtur në ekipe të Superiores. Mendoj se këtë vit kemi shanse për t’u rikthyer në Superligë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›