E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Kopliku: Socialistët do bëjnë faj të rëndë nëse bien dakord për heqjen e imunitetit

Në një shënim të dërguar për respublica-n, ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku mbron tezën se në rrethanat aktuale shqiptare nuk duhet bërë heqja e imunitetit; madje ai e sheh si të rrezikshëm një hap të tillë. Dhe jep pesë arsye të vetat, pse mendon kështu:

1.      Socialistët duhet ta pozicionohen qartë e prerë: nuk duhet hequr imuniteti, deri sa në Shqipëri nuk janë shenjat minimale të shtetit ligjor, deri sa vriten 4 vetë në mes të Bulevardit e vrasësi vazhdon të jetë kryeministër etj. Duhet të ulërijnë që ta dëgjojë çdo shqiptar, por edhe ata që dërgojnë ata burokratë nga Perëndimi, që përsërisin hiqni imunitetin (më e pakta që mund të thuhet për këta burokratë është se ata janë injorantë të situatës shqiptare). Në stadin aktual të zhvillimit të Shqipërisë, jo vetëm që nuk duhet hequr imuniteti, por mbase duhet forcuar më tej. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është pjesa më e degjeneruar e shoqërisë, dhe ai nuk rregullohet duke zgjedhur drejtuesit e tij as me ¾ e as me 100% (unanimitet) të votave. Këta të PS-së janë naivë, apo janë mashtrues?!

2.      Vetëm kur Shqipëria të ketë bërë përmirësime të dukshme të drejtësisë, vetëm atëherë mund të shtrohet problemi i heqjes së imunitetit. Imuniteti është një shpikje e botës, jo jona, që synon të mbrojë deputetët nga sulmet e diktatorëve, të Berishës në rastin konkret, por edhe të Ramës, nëse dhe ai bëhet diktator. Vetëm kur drejtësia të ketë bërë përmirësime reale e të pranuara edhe nga miqtë perëndimorë të saj, vetëm atëherë mund të shtrohet problemi i heqjes së imunitetit.

3.      Imuniteti nuk ka fare qëllim, e as e luan praktikisht këtë rol, që të mbrojë deputetët e korruptuar. Mbrojtja e deputetëve të korruptuar nëpërmjet imunitetit, është një sofizëm mjeran, që nuk mund të mbështetet me asnjë të dhënë reale nga praktika.

4.      Një parlament me deputetë pa imunitet, do të kthehet në një parlament me 4-5 vetë: sa parti ka në parlament.  Deputetët pa imunitet do të jenë shumë më të terrorizuar të shprehin mendimet sipas mendjes së tyre, se sa janë sot, me gjithë imunitetin që kanë. Me deputetë pa imunitet, dhe me një drejtësi të komanduar nga kryeministri i radhës, nuk ka sepse të ketë 140 deputetë. Po hoqën imunitetin, të bëjnë edhe Parlamentin me aq vetë sa parti ka në Parlament, dhe secili prej tyre do të votojë me aq pikë sa përqind ka fituar partia përkatëse në zgjedhje: nuk ka asnjë motiv që të jenë 140 deputetë.

5.      PS është duke vepruar si në rastin, kur së bashku me Berishën ndryshoi Kushtetutën duke bërë një Kryeministër me fuqi të tepruara dhe një president pa kurrfarë fuqie; kur u hoq mundësia e ndërprerjes së një regjimi diktatorial, duke kaluar vendin në zgjedhje me mos zgjedhjen dot të presidentit etj. Rama me të tijtë pranoi gabimin që pat bërë, por në fakt është bërë faj dhe jo thjesht gabim. Nuk duhet të përsërisin edhe me heqjen e imunitetit një faj tjetër, mbase dhe më të rëndë.

http://respublica.al/artikuj/2012/09/09/bashkim-kopliku-socialistet-do-bejne-faj-te-rende-nese-bien-dakord-per-heqjen-e

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›