Bashkim Shehu, humb çmimin "Balkanika" për një votë
Shkrimtari serb, Vladislav Bajic me romanin "Hamami ballkanik" është fituesi i çmimin "Balkanika". Sipas anëtarëve të jurisë në Shkup: Gara ishte shumë e fortë.
TIRANE- Shkrimtari Bashkim Shehu dhe romani i tij "Angelus Novus", nuk mundi të mbërrijë deri tek çmimi letrar "Balkanika 2008". Me diferencën e një vote të vetme, ky çmim u fitua nga konkurrenti serb, Vladislav Bajic me romanin "Hamami ballkanik", çmim i shpallur dje afër mesditës pas një mbledhjeje me orë të zgjatura të jurisë ndërkombëtare në Shkup të Maqedonisë. Sidoqoftë, romani i Shehut u vlerësua për nivelin e lartë artistik, për reflektimin filozofik që përcjell dhe për dimensionin universal të saj. Kritikët veçuan në këtë vepër realitetin e burgjeve shqiptare, duke e quajtur "gulaku shqiptar". Por edhe pse nuk u shpall fitues, konkurrimi i Bashkim Shehut ka lënë gjurmë në këtë garë letrare. Juria e ka pasur të vështirë të vendosë për fituesin e këtij viti, pasi veprat dhe shkrimtarët pjesëmarrës janë vlerësuar si prurje shumë të mira dhe me nivel të lartë artistik. Të shtunën në mbrëmje, kjo juri seleksionoi tre prej veprave më të mira dhe ndër ta ishte edhe shkrimtari shqiptar, Bashkim Shehu. Por dje paradite, kur juria ka dhënë verdiktin e fundit, përfaqësuesi shqiptar është renditur i dyti, pas shkrimtarit serb, i cili ka marrë një votë më shumë se kandidati shqiptar, duke fituar kësisoj çmimin letrar "Balkanika 2008". Shkrimtarja Djana Çuli, që ishte përfaqësuesja e Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare për këtë vit, duke rrëfyer detaje nga mbledhja e zgjatur e jurisë, theksoi se romani i Bashkim Shehut mund të ishte fare mirë fitues i këtij viti. Anëtarët e jurisë e kanë pëlqyer dhe mbështetur romanin "Angelus Novus" përgjatë gjithë fazave të votimit, dhe vetëm në fund rezultati i votimit ka qenë në favor të shkrimtarit serb.
Fatmir Toçi, përfaqësuesi shqiptar i organizatorëve të kësaj gare letrare u shpreh pas përfundimit të saj, se ndryshe nga vitet e tjera në këtë edicion ka pasur vepra shumë të mira, që sipas kritikëve secila prej tyre mund të ishte fituese. Kryetari i jurisë, shkrimtari rumun Vasile Andru, fitues i çmimit 'Balkanika' në vitin 2000 u shpreh në ceremoninë e ndarjes së çmimit, se ka ndjerë keqardhje pse ky çmim nuk shkoi për shkrimtarin Bashkim Shehu. "Në jetën time kam botuar 15 libra, por libri i tij ishte më i mirë se të gjithë librat e mi".
Sipas botuesit Fatmir Toçi, takimi i këtij viti ka shërbyer mjaft, për shkak se kanë marrë pjesë shumë botues të cilët janë shprehur se të tre veprat do të përkthehen në të gjitha gjuhët ballkanike. Menjëherë pas mbylljes së ceremonisë, shkrimtari Bashkim Shehu ka nënshkruar për përkthimin e romanit të tij në gjuhën maqedonase dhe atë rumune. "Ndërsa ne në shqip do të botojmë brenda vitit edhe romanin e shkrimtarit fitues "Hamami ballkanik" dhe romanin "Kutia e zezë", të shkrimtarit bullgar Alek Popov, i shpallur i treti sipas votimeve. Botuesi Toçi njoftoi se një pikë e rëndësishme e takimit të këtij viti ishte mbledhja e bordit që organizon "Ballkanika-n". "U vendos që të zgjerohet gjeografia e pjesëmarrjes. Vitin që vjen takimi do të mbahet në Rumani dhe në garë do të futet edhe Kroacia dhe Sllovenia. Ndërsa në 2010 "Balkanika" do të mbahet në Shqipëri. "Kemi propozuar që në takimin që do të mbahet në Shqipëri të futet në garë edhe Mali i Zi dhe Bosnja. Unë propozova që të përfshihet edhe Kosova, por për këtë propozim pati debate të shumta, për shkak të statusit të saj dhe nuk u mor një vendim", - tha Toçi. Romani i Bashkim Shehut, "Angelus Novus", është botuar në vitin 2006, në Shqipëri nga "Toena" dhe është pritur me interes nga lexuesi shqiptar. Aktualisht vepra është në proces botimi në Amerikë dhe në Francë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)