E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria e Tinkës

Impresioni i një aktoreje pasi ngjitet në vendin fqinj në majë të piedestalit dhe kthehet në atdhe, me trofenë e fituar, por me brishtësinë gati përhumbëse. Meditim mbi përjetimin e aktores Tinka Kurti, si një kumt mbi ndërgjegjen e mirënjohjes dhe nderimit për njerëzit me zemër të lartë

Ne ishim ulur së toku me aktoren tonë të mrekullueshme Tinka Kurti. Një gazetare e re po e intervistonte lidhur me filmin “Zemra e nënës”. Tinka dukej madhështore me ballin e lartë të fisnikëruar prej mençurisë, me flokët e verdhë të hijeshuar prej kapuçit të palltos së kuqe. Shpesh më ka rënë rasti ta dëgjoj Tinkën, duke përdorur një ton të lehtë ironie teksa flet me gazetaret. Por, sot Tinka ishte më e vërtetë dhe më e bukur se kurrë. Biseda e saj ishte si ta përjetoje atë që rrëfente. Tinka është një aktore krejt e vetëdijshme se çfarë do të kumtojë tek dëgjuesit me fjalët e saj:

“Fati e solli që të lexoja skenarin e filmit “Zemra e nënës, - tha ajo, nuk doja ta merrja atë rol, sepse nuk kisha besim tek regjisori, që ishte fare i ri dhe e kishte filmin e tij të parë. Ky skenar kishte ardhur në Kinostudio që në vitin 1989, dhe Teodor Laço, që në atë kohë ishte drejtor, më pat thënë që ta merrja, por unë ngurroja. Erdhi viti 1991. Atë vit më vdiq burri, i cili më ishte lutur për ta marrë rolin, duke më thënë se sikurse mua më patën ndihmuar më të vjetrit për rolet e mia edhe unë duhej ta merrja atë rol për të shpërblyer disi të tjerët, më të rinjtë. Atëkohë në Shqipëri njerëzit nuk dinin se ku e kishin kokën, ku ngryseshin nuk gdhiheshin: vraponin pas partive, kapërcenin kufirin me det, me not me çfarë të mundnin. Katër ditë pas vdekjes së tim shoqi u ula për të lexuar skenarin, sepse m’u shfaq ai në ëndërr duke më thënë: “Merre atë rol!” E lexova dhe e pranova. Filluan provat në sheshxhirim, krejt qytetet e Shqipërisë ndodheshin në rrëmujë, gjendja politike ish shumë e vështirë. Po ndërrohej sistemi dhe ne ndërronim operatorët. Kujtoj filmimet në Berat, aty u bëmë miq të ngushtë, unë me djalin, që luan rolin e nipit dhe me qenin. Edhe qeni më donte. Ne të tre e donim fort njëri-tjetrin.

Mbaroi filmi u shfaq në Shqipëri dhe pastaj organizatorët guxuan për ta paraqitur në Festivalin e Salernos në Itali. Vajtëm atje regjisori dhe unë. Ishte shtator i vitit 1992. Filmi u shfaq në një sallë fare të vogël, nuk ishte i përkthyer as në anglisht as italisht, film i patitruar. Aty u ndodhën një djalë e një vajzë, të cilët e përkthyen ashtu si mundën përmbajtjen e filmit për njerëzit, që ndodheshin në sallë. Ne flinim në të njëjtin hotel me jurinë e festivalit, por as nuk përshëndeteshim me ta, nuk i njihnim fare. Erdhi dita e shpalljes së çmimeve. Na ftuan. Unë u vesha shumë bukur pasi doja të paraqitesha me dinjitet për vendin tim, sepse aty kishte artistë nga e gjithë bota. I thashë Besnikut (regjisorit) se ndoshta do të na japin ndonjë çmim inkurajues si vend i vogël e me pak përvojë në kinematografi.

Filloi ceremonia. U ndanë çmime për muzikën, skenarin, montazhin, aktorët, çmimi i tretë... Aty i humba fare shpresat. Befas dëgjojmë: “Medalja e argjendtë” i jepet filmit shqiptar “Zemra e nënës”. Titullin e filmit e thanë në gjuhën shqipe: “Zemra e nënës”. U hutuam. Vetë kryetari i jurisë na e dha çmimin dhe ai përveç fjalëve të tjera, vijoi duke thënë se zemra e nënave shqiptare rreh porsi zemra e nënave italiane se zemrat e të gjitha nënave në botë rrahin njëlloj. Dola në skenë dhe fillova të flas italisht me zërin që më dridhej nga emocionet e fuqishme, që më kishin pushtuar, veçse atë grimëherë më kaluan para syve refugjatët tanë të mbyllur në stadiumin e Barit, të cilët i pashë me sy nga avioni kur helikopterët u hidhnin ushqim nga lart dhe më pikoi shpirti. Prandaj mes të tjerash thashë:

-Ndihem tepër i emocionuar për nderin që po i bëni vendit tim, por ky është detyrimi juaj ndaj nesh. Kur djemtë italianë të Luftës së Dytë Botërore na trokisnin në derë për një copë bukë, ne nuk i vumë për të na çarë drutë, por i futëm brenda në shtëpi dhe u bëmë nëna për ta... Sot ne kemi nevojë për ju... - Unë flisja dhe nuk i mbaja dot lotët. Ra një heshtje në sallë, veç diku dëgjohej një ngashërimë. Lotët vazhdonin të më rridhnin dhe vijova:

-Lufta ende vazhdon për të sfilitur zemrat e nënave. Sot si nënë më dalin para syve ata sytë e kaltër të vajzës të Sarajevës, atje ku po bëhen bombardime dhe Sarajeva është vendlindja ime... - Heshtje varri. Pastaj duartrokitje. Tek unë me tufën e luleve u afrua aktorja e madhe italiane Antonela Lualdi, asaj i thashë:

- A e dini kemi diçka të përbashkët ne të dyja, sepse ju kini lindur në të njëjtin vit, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtën datë me mua, vetëm ju jini shumë e bukur.

-Edhe ju zonjë... - më tha ajo.

-Oh, unë nuk jam e bukur, unë jam veçse një gjyshe... - kurse ajo ma priti:

-Ndërsa unë jam stërgjyshe... - Dhe qeshëm fort të dyja përmes lotëve të mallëngjimit. Lulet që më dhuroi Antonela Lualdi i ruaj edhe sot e kësaj dite ashtu siç kanë mbetur të thara.

Ndenja në Itali edhe dy a tri ditë tek mbesa ime. U ktheva për në Atdhe tok me Kupën e Argjendtë. Mbërrita në Rinas. Askush nuk më priste. Nuk kish makina. Mbeta aty fill e vetme pesë orë njëra pas tjetrës e lodhur, e këputur, e pangrënë derisa më mori makina e personelit të aeroportit për në Tiranë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›