E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nje Tirane e krijuar ne Mynih"

 

TIRANE-Luçjan Bedeni ka shkuar në Mynih me një bunker. Bunkerin e ka çuar përmes punimit të tij në video "Larje bunkeri" dhe e ka prezantuar për publikun gjerman në ekspozitën "Tirana - Mynih so near - so far" në galerinë "Lothringer dreizehn" në Mynih.
Luçjano e ka shpjeguar kështu punimin e tij në një intervistë për radion "Deutsche Welle": "Kjo ka qenë një performancë e dokumentuar në video, ku unë marr pjesë në aktin e larjes së një bunkeri në Shqipëri, pastrimin nga ferrat dhe mbeturinat, të një bunkeri të akumuluar, të njehsuar me natyrën". Luçjano është student i vitit të katërt në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai nuk ka shkuari vetëm në Mynih. Në atë rrugëtim është shoqëruar edhe nga katër studentë nga Tirana, si dhe profesorët Edi Hila dhe Zef Paci. Në Mynih janë takuar me studentë nga Akademia e Arteve figurative e Mynihut dhe Profesoren Magdalena Jetelova. Këtë takim e ka bërë të mundur Adela Demetja, bursiste e Fondacionit Robert Bosh dhe kuratore në galerinë Lothringer në Mynih. Adela ka mbaruar para dy vitesh Akademinë e Arteve në Tiranë dhe e di sa e rëndësishme është për studentët vendosja e kontakteve me Akademi të tjera: "Ishte dëshira ime për të realizuar këtë projekt, sepse duke qenë vetë ish studente e Akademisë në Tiranë e njoh nevojën e madhe që kanë studentët shqiptarë për kontakte me studentë të vendeve të tjera". Studentët kanë organizuar një work shop dhe me punimet e sjella me vete dhe ato të realizuara gjatë qëndrimit të përbashkët hapën një ekspozitë në Galerinë Lothringer dreizehn në Mynih, me titull "Tirana - Mynih so near - so far". Studentët realizuan edhe projekte të përbashkëta. Në njërin prej ata tyre nxjerrin "Një Tiranë nga një Mynih". Atë e realizoi Luçjani dhe Julika Mayer. "Ne bëmë një punë në grup me studenten Julika Mayer. Shkëmbyen mendime mbi Tiranën dhe Mynihun, dhe me disa fotografi dhe kartolina nga Shqipëria, vramë mendjen si mund të nxjerrim një Tiranë nga Mynihu. Asaj i lindi ky inspirim. Kurse unë u mora me analizimin e fotografive të bëra në Mynih, por që pak a shumë ngjajnë me Tiranën. Dhe e titulluam "servus nga Tirana" por në fakt fotografitë janë nga Mynihu", ka shpjeguar Luçjano.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›