Të jesh shkrimtar në Ministrinë e Kulturës
“Teksa përshkoja korridoret, zyrat mondane ku dikur kishin punuar anëtarët e Byrosë Politike dhe tek shfletoja dokumentet arkivore, ende pa fituar sigurinë në vetvete për punën që kryeja, më bënte përshtypje fakti se në këtë institucion të lartë të kulturës, ndonëse në një shtet ku mbizotëronte pluraliteti i mendimit, ende nuk shihja njerëz të kulturës, aq më pak shkrimtarë. Teksa i bëj sot analizën asaj situate me të cilën u ndesha dikur, arrij në përfundimin se në përgjithësi, krijuesit në Shqipëri, kanë një fobi për sa i përket afrimit dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore...” Specialist në drejtorinë e letrave, Ermir Nika e ka prezantuar esenë e mëposhtme në takimin e festivalit ndërkombëtar të poezisë me temën “Çfarë do të thotë të jesh shkrimtar në...”
Përgjatë udhës nëpër të cilën depërton një jetë njerëzore, çdokush është i vetëdijshëm që ajo fasadë me të cilën vështrimi ynë ka qenë veshur nëpërmjet formimit pranë katedrave dhe përvojës së përftuar nga literaturat, arrin të vetëdijësohet se ky nuk ka qenë veçse një këndvështrim i kufizuar, ku pas shembjes së fasadës, atëkohë njeriu gjendet përballë një realiteti të veshur me vel misteri dhe thepisje nga ku thirrjes tënde i përgjigjet vetëm një jehonë e largët që sa vjen e shuhet në humbëtirë. Asnjëherë nuk pata menduar se një ditë do të gjendesha i dyzuar midis poetit dhe burokratit. Dhe kjo udhë nisi në ndërtesën që ka drejtuar politikën shqiptare përgjatë gjysmë shekulli. Teksa përshkoja korridoret, zyrat mondane ku dikur kishin punuar anëtarët e byrosë politike dhe tek shfletoja dokumentet arkivore, ende pa fituar sigurinë në vetvete për punën që kryeja, më bënte përshtypje fakti se në këtë institucion të lartë të kulturës, ndonëse në një shtet ku mbizotëronte pluraliteti i mendimit, ende nuk shihja njerëz të kulturës, aq më pak shkrimtarë. Teksa i bëj sot analizën asaj situate me të cilën u ndesha dikur, arrij në përfundimin se në përgjithësi, krijuesit në Shqipëri, kanë një fobi për sa i përket afrimit dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore. Kjo pa dyshim që ka edhe një impakt që vjen si pasojë e rezonimit që shkakton e kaluara në vetëdijen e tyre. Është i qartë tashmë fakti që komuniteti i shkrimtarëve ka qenë një ndër sferat më të mbikëqyrura dhe të persekutuara, shpeshherë duke krijuar edhe viktima si kundërvënie ndaj ideologjisë së imponuar. Edhe në ndonjë rast kur ndonjëri prej tyre pranonte një vend pune në ministri, vëreja se kjo nuk zgjaste shumë, në krye të disa muajve ai do të goditej sërish dhe largohej nga puna. Edhe sot e kësaj dite nuk jam i sigurt nëse për këtë e kishte fajin papajtueshmëria e shkrimtarëve me sistemet politike apo ndoshta mëkatin e bartte godina. Aty në çdo hap dhe situatë më ngjante ende fanitja e hijes së diktatorit, fryma e konfliktit dhe komplotit ishte e prekshme në çdo mjedis ku pesha e së kaluarës ishte e pranishme gjithkund. Në këto kushte e vetmja rrugë zgjidhjeje ishte të bëja një pakt me veten. Në asnjë rrethanë nuk duhet ta shfaqja veten si njeri i letrave, pra vendosa të heshtja dhe ta pagëzoja veten ashtu si dikur Odiseu me emrin Askushi. E kështu të mos botoja për një periudhë disavjeçare. Ndërkohë në brendinë time më rëndonte dënimi që u pata dhënë dorëshkrimeve të mia. Në atë periudhë më qëllonte të vizitoja herë pas here Lidhjen e Shkrimtarëve, e cila së largu më ngjante herë me një tempull, herë me një kishë të dënuar të mbyllej, ku takoja miqtë, të vetmit poetë që mbanin hapur dyert e saj, të cilët ashtu si murgjit e nëmur, e mbysnin stresin me biseda të tejzgjatura, alkool dhe tymin e nikotinës. Gjendeshim në një kohë të vështirë tranzicioni dhe mbijetese ku shkrimtarët shiheshin si qenie që i përkisnin një tjetër orbite, tjetër realiteti, që nuk kishin të bënin aspak me moralin, interesat dhe botëkuptimin që karakterizonte ligjet e pashkruara nëpërmjet të cilave kishte ndërtuar jetën shoqëria jonë në vitet e pluralizmit.
Në kujtesën time nuk mund të fshihet nga kujtesa ajo ditë kur recepsionisti më njoftoi se dikush, një plak endacak, më priste tek porta kryesore. U interesova për të dhe më tha se nuk mund ta ngjiste lart për arsye të veshjes së tij. Zbrita poshtë rutinshëm për të pritur të sapoardhurin dhe befas në pamjen prej eremiti njoha poetin dhe mikun tim, Frederik Rreshpjen. Njeriu që nuk kishte gjetur prehje jo vetëm me sistemet politike, rrymat letrare, por edhe me rrymat e ajrit. U trondita me pamjen që m’u shfaq krejt papritur. Përballë meje qëndronte poeti që kishte nisur udhën për t'iu larguar kësaj bote. Një borsalinë e lagur nga shirat e porsanisur të vjeshtës hijezonte dy sy gati të shuar, gropëzat e faqeve mbuloheshin nga një mjekër e parruar, xhaketa e ndotur, pizhamet dhe shapkat e lidhura me tel të jepnin pamjen e një njeriu në të cilin qenë mishëruar tipologjitë e rendeve shoqërore që nga Mesjeta e deri në kohët moderne.
- Sapo mbërrita nga Moska ku pata një takim me Putinin, - më tha Fredi me zërin e tij të mekur. Këto momente në të cilat ai dilte jashtë realitetit dhe binte pre e halucinacioneve ishin më se normale për ne që e njihnim së afërmi atë njeri. Nuk prita, por iu hodha në qafë dhe nga mënyra se si e prita dhe se si e nderova këtë njeri, kolegëve të mi u bëri përshtypje. Ua prezantova dhe u thashë se ky njeri është një ndër poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, por të gjithë më panë vëngër. Pamja e tij nuk paraqiste një poet të kollarisur ashtu siç ishin mësuar të shihnin nëpër antologjitë poetike apo në simpoziumet e ndryshme, por një bohem që transmetonte vetëm trandjen e epokës së cilës i përkiste. Pasi u përshëndoshëm me njëri-tjetrin, Frederiku m’u lut që bisedën ta bënim në ndonjërën nga baret aty pranë, pasi ambienti i zyrave nuk i bënte mire për shëndetin, pasi prej kohësh vuante nga zemra dhe frymëmarrja e rënduar. Ato kohë Fredin e kishte kapluar një gjendje depresive dhe po përjetonte intensivisht braktisjen. Atë e shoqëronte në djalë, të cilin nuk e lidhte asgjë me letërsinë dhe takimi me Fredin, i mbetej rastësisë së një nate të ftohtë dimri, kur ky njeri të cilin as sot nuk ia mbaj mend fytyrën, kishte hasur një plak të vetmuar teksa dëneste rrugëve i vetëm. Ndjeva keqardhje për të – m’u shpreh gjatë bisedës djaloshi me vështrim të egër që në fytyrë i dalloje qartë disa vranga të goditjeve me thikë. “Unë jam tregtar, kam një motel të cilin e frekuentojnë çiftet”, - më tha ai. Atë natë m’u gjend një dhomë bosh dhe aty e strehova Fredin. Ai sapo ishte arratisur nga azili në të cilin e pati regjistruar miku i tij, Moikom Zeqoja. Ashtu si në përçartje më tha që ishte poet dhe unë u çudita mjaft që pata fatin të takoja një poet, ndonëse shkollën dhe librat i braktisa që në klasë të dytë fillore dhe e ndjeva si detyrim të bëja diçka për të, aq sa munda, nuk mund ta lija në atë gjendje, ndaj atë natë ndonëse shumë vonë bëra çmos që ta shpëtoja këtë njeri, lajmërova mjekun dhe i bëra të gjitha shërbimet e mundshme. Më bënte përshtypje që ky plak me një këmbë në varr, më kërkonte letra dhe laps dhe shkruante, vazhdimisht shkruante deri natën vonë dhe pastaj m’i jepte mua t'i i lexoja dorëshkrimet e tij, pasi kritikët, kolegët dhe të afërmit e kishin lënë në harresë dhe hera-herës shkrehej në ngashërim dhe humbiste ndjenjat për këtë gjë. “Unë kam pasur raste të qëlloj dhe të eliminoj fizikisht shumë njerëz, - vijonte djaloshi në bisedë, - kam bërë disa vjet burg, por kësaj gjendjeje nuk i rezistoj dot” dhe sytë e tiparet e tij çuditërisht u zbutën dhe u njomën nga lot të beftë. Kohë më vonë dhomën e motelit e shndërrova në një studio për Fredin. Aty ngrita një bibliotekë, instalova një kompjuter, pasi Fredi më shprehej se kishte një dëshirë që para se të vdiste t'i shihte të botuara poezitë e tij.
“Kështu, doja s'doja, e pashë të udhës të bëja një kurs kompjuteri për të radhitur poezitë e Fredit. Ai shkruan shumë bukur, ka një stil që nuk e kam hasur tek të tjerë poetë shqiptar apo të huaj”, - më tha ai. Tani motelin më duhet ta mbyll, aty më së shumti vijnë shkrimtarë dhe njerëz të kulturës për të takuar Fredin dhe çiftet më janë larguar. Me sa shoh edhe ju këtu në ministri qenkeni mjaft ngushtë me dhoma, pasi edhe këtu hyjnë e dalin shumë të rinj, dhe jam i bindur që Fredit nuk do t'i pëlqente të jetonte këtu. Fredi, i cili ndonëse i rënduar nga shëndeti nuk i shpëtonte asnjë fjalë nga bashkëbisedimi ynë na ndërpreu:
- Jo as që bëhet fjalë të jetoj këtu! Më mirë të vdes sesa t'i shkoj ditët e fundit në këto zyra të shtetit monist. Kam bërë 17 vjet burg dhe sapo vë këmbën në ndonjë zyrë shtetërore, të gjithë ata që punojnë në to, më duken të gjithë si komunistë - dhe më pas iu fal heshtjes së tij duke thithur me nge çibukun e mbushur me duhan Taraboshi. Pastaj biseda me djaloshin rrodhi rreth tematikave letrare dhe unë çuditesha me kulturën që ky njeri dikur një kontigjent i rrezikshëm zotëronte, falë bisedave me Fredin. Ai fliste me kompetencë për shkrimtarët e antikitetit, klasikët frëngj, autorët modernë si edhe për jetën dhe veprat e shumë prej shkrimtarëve shqiptarë dhe fateve të tyre tragjike. Në fund, në duar Frederiku më dorëzoi poezitë e radhitura, dhe unë poeti i veshur nën petkun e zyrtarit, për herë të parë e pashë veten të dyzuar ndërmjet poetit dhe ligjit. Pasi ligji nuk lejonte të botoheshin veprat e autorëve të gjallë. Ato poezi unë i mora dhe ia paraqita ministrit të Kulturës të asaj kohe duke i folur për vlerat dhe fatin që e pat përndjekur Fredin përgjatë jetës së tij në të dy sistemet dhe iu luta atij për ta mbështetur për botim këtë vepër dorëshkrimore. Ai ndoshta jo për poezinë e këtij njeriu të cilin nuk kish pasur rast ta njihte, por ndoshta thjesht, duke më parë që po këmbëngulja, më premtoi që do ta nënshkruante botimin e kësaj vepre, meqë sipas tij, unë nuk i pata kërkuar asnjëherë asnjë favor. Dhe kështu pengu im, që rasti i Lasgush Poradecit të mos përsëritej sërish, ku poeti shpallej i vdekur që në gjallje, do të ishte diçka që do të më rëndonte gjatë gjithë jetës. Ndërkohë, Fredin e kapnin kriza të shumta dhe lutej të largohesha më parë nga kjo botë. Në krye të disa muajve vepra u botua. Lavdi Zotit që Fredi e pa për së gjalli veprën e tij dhe pas pak kohësh ashtu siç na pati paralajmëruar të gjithëve, ai ndërroi jetë.
Asokohe kahjet e pushteteve politike në Shqipëri po ndryshonin dhe si pasojë e atyre çka flitej për pushtimin nga shpirtrat e këqij të godinës së ish-Komitetit Qendror, godina e Ministrisë së Kulturës si për ironi, u zhvendos në njërën prej ndërtesave të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, konkretisht në ambientet e zyrave të Kriminalistikës, përbri Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Nga dritaret e pasme të godinës çdo ditë na qëllonte të shihnim togat e policëve dhe gardianëve që rreshtoheshin në orë të caktuara, armatimet, uniformat, sirenat e policisë, të dënuarit të lidhur me hekura, tranvestitët që endeshin në kërkim të amnistisë dhe më tej laboratori i policisë shkencore. Dhe kështu më duhej të mbyllesha në unin tim krijues për të gjetur vetveten dhe qetësinë e kërkuar, në orët e vona të pasdites, atëherë kur korridoret dhe zyrat e dikasterit zbrazeshin nga zyrtarët, kohë kur ishin ndërruar rojet e oborrit përballë dhe sirenat e policisë rralloheshin, ulesha dhe shkruaja letërsi. Në ato vite mbaj mend se ato qenë të vetmet momente lirie dhe rikthim tek ai motiv për të cilën isha krijuar. Kështu kaluan gati tre vjet.
Muaj më vonë mësuam së do të zhvendoseshim në ndërtesën e ish-Lidhjes së Shkrimtareve të Shqipërisë. Për atë organizëm në të cilin nga diktatura u dënuan dhe u promovuan shumë nga shkrimtarët më në zë të Shqipërisë, falë instinkteve të vetëmbrojtjes ishte paksa e vështirë t'i aviteshe dhe t'i përshtateshe atmosferës që kish mbetur e ngrirë në muret, shkallët, llambadarët, sallën e konferencave dhe zyrat e redaksive. Por, atje gjetëm një fortesë krejtësisht të braktisur që më së shumti kisha bindjen së më shumë do t'u shërbente ekspeditave të arkeologëve dhe jo nëpunësve të një dikasteri. Ndërsa hyja dhe përshkoja zyrat dhe krejt ambientet vëreja se jashtë parafytyrimit tim aty më nuk shfaqeshin as Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Zija Çela, pararendës të cilët tashmë i janë përkushtuar shpirtësisë poetike brenda në manastirin e unit, por hapësirat e zbrazura po mbusheshin me zyrtarë të rinj që ndoshta as nuk u interesonte më ajo e kaluar, por ajo që do të pasojë paskëtaj, edhe nëse për këtë godinë është folur shumë, e dikush e shikon si një tempull, të tjerë si një oaz të nëmur. Ndoshta kjo është një sfidë të cilën duhet ta përballojnë brezat dhe krijuesit e rinj që me krijimtarinë e tyre predikojnë ndryshimin. Tashmë kohët kanë evoluar, njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe strukturat shtetërore po i kushtojnë gjithmonë e më tepër vëmendje dhe përkujdesje njerëzve të letrave, çka dëshmon edhe për një shkallë emancipimi të krejt sistemit tonë shoqëror ndaj vlerave të qëndrueshme. Por shkrimtarët në Shqipëri ende shfaqin indiferencë kur bëhet fjalë për të qenë pjesë e hartimit të strategjive dhe ligjeve për artin, kulturën. Sipas gjykimit tim, si përfundim të analizës që kam bërë brenda vetes për gjithë sa kam përjetuar në të dy kahjet, ata e kanë ndërtuar jetën në bazë të disa kodeve dhe ligjeve të pashkruara brenda një bote ekzotike, ku shumë pak e kanë fatin ta njohin nga afër, e në të cilën ata ndihen zotër të saj. Por kurrsesi, çdo ndjesi dhe përfytyrim është i destinuar t'i nënshtrohet ligjeve të përkohshmërisë, ndaj është e nevojshme që çdo ndryshimi dhe procesi reformimi shkrimtarët duhet të jenë prijatarët dhe vizionarët për udhën në të cilën duhet të ndjekë vendi ynë, pasi në asnjë rast nuk ka qenë shteti që ka krijuar individin, por individi ai që ka krijuar shtetin, ndaj edhe ai shumë herë na shfaqet në trajtat e qenies njerëzore, herë i dashur e i dhembshur, herë i ashpër, nganjëherë në dukje mospërfillës dhe e gjithë kjo është e destinuar të ndodhë përderisa kjo hierarki është krijuar si fortesë që bart një të kaluar dhe i paraprin një të ardhme nga vetë njeriu.