‘Carmina Burana’, show i madh në Tetarin e Operas
TIRANE- Skena masive, ngjyra dhe ritme. Mbrëmja e së shtunës është zotëruar nga baleti dhe kënga në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. "Carmina Burana", shfaqja e shumëpritur në TKOB, ka shënuar sukses, duke çelur dhe sezonin artistik të këtij institucioni. Mbi 150 artistë kanë interpretuar në shfaqjen e kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936. Premiera erdhi e përshtatur në një version ndryshe për skenën shqiptare, ku këngëtarë dhe balerinë ishin protagonistë së bashku në skenë.
Në rolet kryesore interpretonin këngëtarët Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli, balerinët Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, ndërsa orkestra e TKOB u dirigjua nga italiani Fabio Pirona. Koreografi i "Carmina Burana", Arian Sukniqi, u shpreh i kënaqur për performancën. Shfaqja u zhvillua në formën e një musicali, nën një gjuhë koreografike me dominancë neo-klasike, si një performancë ku ishin të njehsuara baleti dhe kënga. Një mori skenash koreografike ndryshuan sipas këngëve dhe pjesa tjetër erdhi si një spektakël që iu afrua përmasave të musicalit. Të pranishmit e kanë cilësuar një "një show të vërtetë" premierën e "Carmina Burana-s", ndërsa vetë artistët kanë shprehur përjetimet e tyre pas kësaj shfaqjeje. Solisti Erlind Zeraliu u shpreh se për të ishte hera e parë që interpretonte këtë rol në këtë vepër. "Për sa i përket pjesës që unë interpretova ishte shumë e vështirë, duke qenë latinisht ka një teksturë shumë të lartë, por besoj se e realizova me sukses", - u shpreh ai. Vepra që nuk ka një subjekt të mirëpërcaktuar tregon historinë e një personazhi, i cili fillimisht është në kërkim të dashurisë si një forcë madhore. Por që në momentin e parë, në këtë rrugëtim të tij, shfaqet edhe e keqja, simbolizuar përmes djallit. Lufta e përhershme mes të mirës dhe së keqes është ajo që e shtyn këtë personazh në kërkim të mundësive të tij. Por djalli godet pikërisht te shpresat dhe gati ia arrin qëllimit.
Në këtë moment shfaqet një personazh tjetër, paksa mitik, i cili merr përsipër ta drejtojë heroin e veprës. Ai e fut në shumë ambiente, ku mund të kërkojë dashurinë, por në fund ai gjendet në majën e një piramide me letra bixhozi, ku fati vihet në anën e tij. Realizimi i shfaqjes muziko-koreo-grafike konsistoi në arritjen e një uniteti artistik, ku çdo element i veçantë i shërbeu tërësisë së zbërthimit të përmbajtjes, me synim impaktin me publikun dhe sidomos me të rinjtë, ekspozimin e plotë të vlerave të muzikës gjermane të shek. XX-të, realizimin e një produksioni skenik dhe televiziv që promovon artistët, duke sjellë në skenën shqiptare një vepër që ka mesazh të qartë filozofik me angazhimin profesional maksimal të rreth 150 artistëve. Vepra e kompozuar nga Karl Orff u shfaq në vitin 1936 në Mynih (Gjermani), me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike të Mynihut. Për shumë vite ajo u para-gjykua dhe u ndalua të rivihej në skenë, deri sa në fund të viteve 90-të e deri tani është bërë pjesë e repertorit bazë të teatrove më prestigjioze të botës. "Carmina Burana" vijoi të shfaqet edhe mbrëmë në po këtë skenë dhe sërish sonte në mbrëmje.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)