E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga një Mynih të nxjerrësh një Tiranë

Projekt artistik studentësh shqiptarë dhe gjermanë

Në galerinë Lothringer në Mynih hapet ekspozita e studentëve gjermanë dhe shqiptarë "Tirana - Mynih so near - so far". Luçjan Bedeni ka ardhur me një bunker nga Shqipëria në Mynih. Bunkerin e ka sjellë në punimin e tij me video "Larje bunkeri". Punimin ia prezanton publikut në ekspozitën "Tirana - Mynih so near - so far" në galerinë "Lothringer dreizehn" në Mynih. Luçjani e shpjegon kështu punimin e tij: "Kjo ka qenë një performancë e dokumentuar në video, ku unë marr pjesë në aktin e larjes së një bunkeri në Shqipëri, pastrimin nga ferrat dhe mbeturinat, të një bunker të akumuluar, të njehsuar me natyrën".

Luçjano pastron një bunker, nga ata të kohës së komunizmit që janë më qindra mijëra në vendin e tij. Por bunkeri i Luçjanos, është harruar nga koha dhe njerëzit dhe është mbuluar me vegjetacion. Ai instalon një kamera diku dhe me një mahetë mundohet të çajë rrugën për të shkuar tek bunkeri. Dikur dhe ja del. Luçjano është student i vitit të katërt në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai nuk ka ardhur i vetëm në Mynih. Me vete ka edhe katër studentë nga Tirana, si dhe profesorët Edi Hila dhe Zef Paçi. Në Mynih ata takojnë studentë nga Akademia e Arteve figurative e Mynihut dhe Profesoren Magdalena Jetelova. Këtë takim e ka bërë të mundur Adela Demetja, bursiste e Fondacionit Robert Bosh dhe kuratore në galerinë Lothringer në Mynih. Adela ka mbaruar para do vitesh Akademinë e Arteve në Tiranë dhe e di sa e rëndësishme është për studentët vendosja e kontakteve me akademi të tjera: "Ishte dëshira ime për të realizuar këtë projekt, sepse duke qenë vetë ish studente e Akademisë në Tiranë e njoh nevojën e madhe që kanë studentët shqiptarë për kontakte me studentë të vendeve të tjera". Studentët, të gjithë bashkë organizuan një work shop dhe me punimet e sjella me vete dhe ato realizuara gjatë qëndrimit të përbashkët hapën një ekspozitë në Galerinë Lothringer dreizehn në Mynih, atë "Tirana - Mynih so near - so far". Gjatë kohës që qëndroi në Mynih, Ticjana Dine u inspirua për të bërë një punim të ri. Në tri ditët e saj në Mynih, ajo fikson linjat e trajektores që bënte çdo ditë në qytet, linja që ngjajnë me skemën e metrove të qytetit. Këtë linjë personale ajo e vizaton mes shkumës me ngjyra në muret e galerisë, duke lënë atje gjurmët e linjave personale të saj.

Studentët realizuan edhe projekte të përbashkëta. Ne njërin prej ata tyre nxjerrin "Një tiranë nga një Mynih". Atë e realizoi Luçjani dhe Julika Mayer. "Ne bamë një punë në grup me studenten Julika Mayer. Ne shkëmbyen mendime mbi Tiranën dhe Mynihu, dhe me disa fotografi dhe kartolina nga Shqipëria, vramë mendjen si mund të nxjerrim një Tiranë nga Mynihu. Asaj i lindi ky inspirim. Kurse unë u mora me analizimin e fotografive të bëra në Mynih, por që pak a shumë ngjajnë me Tiranën. Dhe e titulluam "servus nga Tirana", por në fakt fotografitë janë nga Mynihu".

A janë të dukshme dallimet midis punimeve nga Shqipëria dhe atyre nga Gjermania? Një vizitor i ekspozitës e shpreh kështu dallimin që kupton midis punimeve: "Punimet e gjermanëve janë më tepër të koncentruara në anën teknike për të përvetësuar artin, shkathtësinë, ata nuk kishin bërë punime me ambicie që të kishin statement, punimet e shqiptarëve kanë më shumë domethënie. Ishte një ekspozitë e sinqertë, që tregon se këta këtu janë shumë më të prekur nga realiteti se sa këta të tjerët atje".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›