E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkim kombëtar për rrugën drejt Evropës”

13/09/2011  Krerët e lartë të shtetit shqiptar presin ministrat e Jashtëm, Fratini dhe Lambrinidis

Bashkim kombëtar për rrugën drejt Evropës ishte mesazhi që dy ministrat e punëve të Jashtme, ai i Greqisë, Stavros Lambrinidis dhe ai i Italisë, Franko Fratini, dhanë pas takimeve që zhvilluan me krerë të politikës dhe drejtues të opozitës në Tiranë ditën e djeshme. Ata thanë gjithashtu se Shqipëria duhet të punojë fort në rrugën drejt Bashkimit Evropian. “Rruga e së ardhmes është e vështirë, kërkon përgatitje rigoroze, bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike, ndërtim të konsensusit. Ne ju garantojmë se do të jemi në anën tuaj në këto reforma dhe do t’ju mbështesim në të gjithë hapat për të arritur ëndrrën tuaj dhe ëndrrën tonë”, - tha Lambrinidis. Ministri grek në fjalën e tij tha se ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë bashkim kombëtar për rrugën drejt Evropës. Të njëjtën opinion ndau edhe ministri Fratini, duke nënvizuar se Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë drejt Evropës. “Shqipëria ka nevojë të bëjë një pakt kombëtar për Europën dhe unë besoj se është e mundur. Ky pakt politik nuk do të diktohet prej nesh, por nga shqiptarët. Nëse ndodh, sigurisht që Shqipëria ka një shans vërtet të rëndësishëm të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, - tha Fratini.

Reformat

Homologët kërkuan rezultate konkrete pas situatës së re politike në Shqipëri, ndërsa nënvizuan se duhen gjithashtu angazhime për reformat nga të gjitha palët. “Mbështesim integrimin e Shqipërisë, por prej saj priten rezultate të mëtejshme konkrete dhe se këto, në radhë të parë, u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre”, - deklaruan ministrat në takimin e tyre me homologun shqiptar Edmond Haxhinasto, duke vënë theksin te reforma zgjedhore dhe miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar.

Takimi me kryeministrin

Në takimin me kreun e qeverisë shqiptare të dy ministrat siguruan se dy vendet që ata përfaqësojnë, Italia dhe Greqia, janë jo vetëm fqinjë të mirë, por dhe miq dhe aleatë të mëdhenj të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ata theksuan se vizita e tyre vjen në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Ata shprehën besimin se institucionet dhe aktorët politikë shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë hapat konkretë të nevojshëm, në funksion të integrimit evropian. Nga ana e tij kryeministri Berisha i siguroi mysafirët se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë projekti më madhor për shqiptarët dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në opinionin e Komisionit Evropian. Shefi i ekzekutivit shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të mazhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve, si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Bashkëpunimi dhe jo bllokimi është mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Mirëpres kthimin e opozitës në parlament, duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brenda këtij institucioni”, - tha kryeministri Berisha.

“Mazhoranca e hapur për bashkëpunim”

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, Franko Fratini dhe Stravros Lambrinidis. Haxhinasto vuri në dukje se qeveria e ka në krye të programit së saj integrimin evropian dhe vazhdon të ndërmarrë reforma të gjithanshme, që zhvillojnë dhe përparojnë vendin në këtë rrugëtim. Ai gjithashtu theksoi se me situatën e re të krijuar, me hyrjen e opozitës në parlament, priten rezultate konkrete, që do të shënojnë adresimin e plotë të 12 rekomandimeve të KE-së. Ministri vuri në dukje se mazhoranca i përmbahet angazhimit të saj të vazhdueshëm për një bashkëpunim institucional konkret, të hapur dhe konstruktiv, në shërbim të interesit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Topi optimist për integrimin

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, dhe ai i Greqisë, Stavros Lambrinidis, u pritën edhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Pasi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në përmbushjen e detyrimeve dhe të standardeve të integrimit në BE, kreu i shtetit tha se realizimi i reformave kyçe, që garantojnë finalizimin me sukses të punës dhe aspiratës disavjeçare të shtetit dhe të popullit shqiptar për integrimin në BE, janë një prioritet i veprimtarisë dhe angazhimit të të gjitha institucioneve tona. Presidenti i Republikës shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve tanë evropianë Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Mesazhet

Besojmë se institucionet dhe aktorët politikë shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë hapat konkretë të nevojshëm në funksion të integrimit evropian.

Procesi integrues evropian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhorë të vendit mbi gjithçka, duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë.

Mbi të gjitha duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues

Nga Shqipëria priten rezultate të mëtejshme konkrete, të cilat në radhë të parë u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre.

E domosdoshme është nisja e reformës zgjedhore dhe miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›