E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ëndrra e tij u realizua, liria më realitet se kurrë

13/09/2011  Përkujtohet 13-vjetori i vrasjes së deputetit të PD-së Azem Hajdari

“Studenti i Juridikut hyri në histori si tribun i pashembullt i demokracisë

Kryeministri Berisha së bashku me funksionarë të lartë të Partisë Demokratike nderuan dje kujtimin e Azem Hajdarit me rastin e 13-vjetorit të vdekjes së tij. I shoqëruar nga kryebashkiaku Lulzim Basha, nga ministrat Ridvan Bode e Eduard Halimi, personalitete në zë dhe familjarë të të ndjerit, kreu i qeverisë bëri homazhe pranë memorialit të demokracisë Azem Hajdari. Në fjalën e mbajtur me këtë rast kryeministri u shpreh se Azem Hajdari hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte nën shtypjen më të egër, duke u shndërruar me shpejtësi në flamurmbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare. "Sot (dje) ne nderojmë kujtimin e ndritur të tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari dhe sivllait të tij Besnik Çerja, që më 12 shtator të vitit 1998 u ekzekutuan në këtë vend nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe. Azem Hajdari hyri në historinë e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte ndër shtypjen më të egër, kur në tërësi besohej se Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut dhe se shqiptarët nuk do të dilnin dot nga regjimi skllavërisë, në të cilin jetonin. Azem Hajdari, studenti i Fakultetit Juridik, së bashku me shoqet dhe shokët e tij u shndërrua u shfaqën në rrugët dhe sheshet e Tiranës si engjëj liberatorë", - u shpreh Berisha. Në vijim ai shtoi se me një guxim dhe trimëri të pashembullt ata u përballën rrugë më rrugë, shesh më shesh me diktaturën më të egër në Evropë dhe e gjunjëzuan atë. Sipas tij, ata që shkrehën plumbat mbi gjoksin e tij menduan dhe besuan se do të mund të eliminonin kauzën e tij, por gabuan rëndë, sepse sot projekti i Azem Hajdarit, ëndrra e tij dhe të studenteve liberatorë është më realitet se kurrë. "Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Shqipëria me reformat e saj po ecën e sigurt drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar", - tha gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha

Deklarata e ambasadorit Arvizu

“Falënderim shqiptarëve për solidaritetin që treguan”

Me rastin e dhjetëvjetorit të tragjedisë së 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Muzeun Kombëtar u çel një ekspozitë në nderim të 3000 të rënëve nga sulmet terroriste. Në fjalën e mbajtur me këtë rast ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, u shpreh se 10 vjet më parë rreth 3000 persona humbën jetët pas sulmit ndaj SHBA-ve. "Në mes të asaj tragjedie njerëzit në mbarë botën u solidarizuan me ne, duke vendosur qirinj dhe lule së bashku me ne. 10 vjet më vonë miqtë tanë dhe gjetkë qëndruan sërish në krahun tonë me solidaritet të plotë dhe për këtë ne u jemi mirënjohës për solidaritetin. Shumë prej udhëheqësve shqiptarë folën dje për 11 shtatorin, shumë prej tyre janë këtu dhe sot unë dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje", - u shpreh Arvizu. Lidhur me ekspozitën ambasadori amerikan u shpreh se: "Ngjarja e 11 shtatorit ishte ngjarja më e dhimbshme në histori dhe kushdo që kishte një aparat fotografoi. Fotografitë nuk janë të sistemuara sipas tematikës kronologjike apo fotografëve, por thjesht fotografi-dëshmi të çastit dhe arkivi kryesor i ekspozitës ruhet në SHBA.”

Presidenti për 11 shtatorin

Topi: Sulmi ndryshoi rrjedhën e historisë, por jo shpirtin amerikan

Me rastin e ekspozitës së çelur për viktimat e rëna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste mbi Kullat Binjake është shprehur dje Presidenti i vendit Bamir Topi. Lidhur me këtë ngjarje ai u shpreh se "Dora barbare dhe gjakatare e “Al Kaedës” shkaktoi humbje të mëdha, duke sjellë dhimbje të mëdha dhe sikurse e kanë thënë të gjithë krerët e botës, ky sulm ndryshoi rrjedhën e historisë". Më tej ai kujtoi fjalën e Presidentit të SHBA-ve Barak Obama, duke theksuar se gjithçka ndryshoi, por vetëm diçka mbeti pa ndryshuar dhe ky ishte shpirti i Amerikës. Sipas kreut të shtetit, falë këtij shpirti dhe falë bashkimit që ka kombi i madh amerikan, ajo u ringrit më i fortë dhe më solidarizuese në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Duke iu drejtuar ambasadorit amerikan Arvizu, pjesëmarrës në këtë ceremoni, Topi tha: "Ju duhet të jeni krenar, zoti ambasador, për shpirtin e madh amerikan dhe për atë që përfaqësoni. Ne shprehim krenari në emër të çdo shqiptari dhe të jeni i sigurt, zoti ambasador, se shqiptarët do të jenë bashkë në vendosjen e paqes kudo në botë", - tha gjatë fjalës së tij President i Republikës Bamir Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›