E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i groposur trupi i një mashkulli, dyshime për vrasje

13/09/2011  U zbulua nga disa barinj në fshatin Tragjas, disa familje denoncim për të zhdukurin

VLORE- Kufoma e një njeriu është gjetur në afërsi të fshatit Tragjas rreth 11 kilometra nga qyteti i Vlorës. Kanë qenë disa barinj të zonës, të cilët kanë hasur me kufomën, që ishte në shumë pjesë gati e dekompozuar, ndërsa të dukshme ishin vetëm disa pjesë të trupit pasi pjesa tjetër ishte e mbuluar. Menjëherë janë thirrur në vendin e ngjarjes forcat e policisë, të cilët kanë bërë dhe këqyrjen e kufomës ku fillimisht u mendua se i përkiste seksit femër për shkak se ishte e vështirë të identifikohej, ndërsa më pas u konstatua se ishte mashkull.

Trupi i gjetur

Sipas ekspertëve mendohet që kufoma të ketë mbi 15 ditë i groposur në vendin ku u gjet, ndërsa identifikimi ka qenë i pamundur që të bëhej për shkak të dekompozimit të trupit. Mund të kenë qenë kafshë të egra ose qen, të cilët mund të kenë zbuluar kufomën për shkak se ishte varrosur në një thellësi shumë të madhe dhe për ekspertët nuk pati vështirësi për të nxjerrë trupin prej vendit ku ishte varrosur. Pasi është punuar për rreth tre orë në vendin ku u gjet, kufoma e cila kishte përreth qafës një rrip plastik, është transportuar fillimisht në morgun e spitalit të Vlorës dhe më pas për në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë me qëllim për të bërë identifikimin nëpërmjet pajisjeve të specializuara si dhe analizës së ADN. Disa familje, të cilat kanë të afërmit të zhdukur, janë interesuar menjëherë për identitetin e kufomës si dhe kanë vënë në dispozicion materiale që mund të bëhet krahasimi i ADN-së apo i dhëmbëve. Për sa i përket viktimës, sipas burimeve të policisë, mendohet se ai është vrarë mbi 15 ditë më parë, por nuk dihet nëse është vrarë në këtë vend apo është vrarë diku tjetër dhe më pas është transportuar aty ku dhe është groposur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›