E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, shpërthen bombola e gazit, shpëton 22 vjeçari nga zjarri në banesë

Është shmangur tragjedia në një familje në lagjen Skënder Libohova të qytetit të Lushnjës. Një zjarr që ka shkrumbuar të gjithë banesën ka rrezikuar seriozisht jetën e 23- vjeçarit Loni Koço, e ndërsa i gjithë pallati ka ndjerë rrezikun e flakëve. Ngjarja ka ndodhur pikërisht mesditën e djeshme kur 23- vjeçari ndez sobën e gazit për të gatuar. Pikërisht në këtë moment bombula e vendosur fare pranë sobës ka marrë flakë duke shkaktuar zjarr fillimisht në kuzhinë e më pas në të gjithë shtëpinë. E ndërsa ka parë që flakët u përhapën shumë shpejt, 23- vjeçari ka parë si rrugë të vetme shpëtimi të hidhej nga ballkoni i shtëpisë së tij, e cila ishte vendosur në katin e katërt të pallati pesë katësh. E gjitha ngjarja është parë nga fqinjët, të cilët të alarmuar kanë lajmëruar zjarrfikësit. Jemi llahtarisur. Tymi përfshiu të gjithë pallatin saqë u detyruam të dilnim jashtë. Lajmëruam menjëherë zjarrfikësit, të cilët mbërritën menjëherë. Por fatmirësisht flakëve u shpëtoi djali i shtëpisë, i cili u hodh nga ballkoni. U trembëm kur pamë djalin të gjakosur dhe i shkuam menjëherë në ndihmë. E shoqëruam për në spitalin e qytetit, dhe kemi mësuar se është mirë. Shtëpia është djegur totalisht edhe pse filluam të hidhnim kova me ujë derisa mbërritën zjarrfikësit, janë shprehur fqinjë të familjes Koço, të cilët kanë përjetuar çaste frike e paniku, pas flakëve që përfshinë shtëpinë e katit të katërt. Por për të parandaluar flakët dhe përhapjen e tyre në të gjithë godinën, kanë ardhur në ndihmë uniforma të shumta të repartit zjarrfikës, të cilët brenda një kohe të shkurtër kanë evituar djegien e shtëpive atyre pranë. U njoftuam nga fqinjët dhe kemi mbërritur brenda pak minutash në shtëpinë që kishte marrë flakë. Fatkeqësisht kur erdhëm ne, zjarri kishte djegur pjesën më të madhe të orendive dhe bombula e gazit vazhdonte të rridhte gaz. Mendoj që kjo e fundit të ketë qenë e sapombushur dhe sasia e gazit ishte e madhe. U futëm me maska dhe fikse në shtëpi dhe bëmë të mundur shuarjen e flakëve, megjithëse disa nga zjarrfikësit rrezikuan edhe jetën. Një rast i tillë duhet tu kujtojë qytetarëve të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e gazit, pasi edhe ky zjarr mund të ishte parandaluar në rast se djali do të kishte kontrolluar bombulën e gazit, është shprehur Afrim Shehu, një prej zjarrfikësve që mori pjesë në aksionin e shuarjes së zjarrit. Ndërkohë, tragjedia mund të kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme në rast se vetë banorët e pallatit nuk do të kishin ndërhyrë në shuarjen e zjarrit, qoftë edhe me mjete rrethanore. Kjo, sipas ekspertëve bëri të mundur lokalizimin e flakëve e më pas fikjen e tyre. Megjithë këtë ndihmë, dëmi ekonomik në familjen Koço është tepër i madh, pasi në të janë djegur gjithë pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë e tjera. Ndërkohë, burime nga spitali i Lushnjës pohojnë se 23- vjeçari ka marrë plagë dhe shembje të lehta por se ai është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se 23- vjeçari nuk ka rënë në tokë me një përplasje të fortë, por është kacavjerrë nëpër telat e vendosur në ballkonet e pallatit. Një që e tillë ka evituar rënien e tij në mënyrë të menjëhershme duke ulur kështu edhe  rrezikun për jetën e  të riut. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe  uniforma të policisë së rendit të cilët janë sigurua  për rrethanat dhe shkakun e ngjarjes  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›