Bashkimi Europian dhe zgjidhjet e reja
Lajmi është përhapur shpejt nga televizionet dhe agjencitë e shumta të lajmeve anembanë globit. Natyrisht fatet e Europës nuk i interesojnë vetëm europianëve por edhe pjesës tjetër të planetit. Sidoqoftë është vënë në dukje edhe njëherë tjetër se duhen shpëtuar vlerat e Europës duke u theksuar edhe solidariteti që duhet të mbizotërojë në kontinentin e vjetër. Kështu është shprehur presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian, Zhoze Manuel Barrozo duke folur në parlamentin europian në Strazburg. “Mjaft më me përgjigjet e cunguara nuk duhet të ketë më dyshime mbi integritetin e Bashkimit Europian […]. Shtetet më të dobëta nuk duhet të lejojnë dyshime të vullnetit dhe mbi përgjegjshmërinë, ndërsa ato më të fortat nuk duhet të lënë solidaritetin dhe bashkimin” - ka deklaruar presidenti Barrozo. “Kriza e besueshmërisë në Europë është një krizë politike që kërkon zgjidhje të reja” - ka vazhduar presidenti Zhoze Manuel Barrozo, ndoshta duke dashur të kritikojë zakonet e disa liderëve europianë të cilët nuk i kanë mbajtur zotimet dhe premtimet e tyre. Natyrshëm presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian, Zhoze Manuel Barrozo ka folur edhe për shtetin fqinj të Greqisë duke theksuar se partnerët europianë duhet të mbështesin Greqinë në mënyrë që vendi fqinj të qëndrojë si anëtar me të drejta të plota në zonën euro dhe në Bashkimin Europian. Presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian ka dashur të theksojë se nuk duhet të ketë aspak dyshime mbi vullnetin e vendeve më të dobëta për të ndrequr llogaritë e tyre. Ndërkaq një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe një ndër vendet themeluese të Bashkimit Europian ka pritur në mënyrë pozitive propozimin e Komisionit të Bashkimit Europian për t’i dhënë Bankës Qendrore Europiane pushtetin e supervizorit të vetëm në bankat e Eurozonës. Vetë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka rikujtuar se Italia “ka mbështetur gjithmonë” këtë propozim. “Qeveria pret në mënyrë shumë pozitive, natyrisht pasi të shikohen detajet, propozimin e Komisionit Europian dhe që u prek në diskutimin e presidentit Barrozo mbi mekanizmin e supervizorit të vetëm në Europë. Është një propozim që Italia ka mbështetur gjithmonë” - ka deklaruar presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Duket se shumë gjëra po lëvizin në drejtimin e duhur në Europë. Një lajm tjetër i rëndësishëm i ka dhënë ngjyra akoma dhe më pozitive ditëve të fundit. Gjykatësit gjermanë më në fund kanë lëvizur pengesën e fundit për krijimin e fondit të shpëtimit të shteteve. Natyrisht ka qenë një lëvizje e fortë dhe vendimtare për Gjermaninë por pa dyshim dhe për vetë Europën. Nga ana tjetër traktati nuk mund të hyjë në fuqi pa u ratifikuar nga shtetet anëtare që përfaqësojnë 90% të angazhimeve të tyre në kapitale. Një ndër këto vende është Gjermania e cila jep afro 28% të kontributeve dhe angazhimi i gjermanëve është tejet i rëndësishëm. Fondi europian i stabilitetit financiar u krijua në maj të vitit 2010, dhe do të operojë deri në qershor të vitit 2013, dhe ka një kapacitet huaje prej 440 miliardë eurosh. Ndërkaq 292 miliardë janë përdorur në favor të vendeve të Bashkimit Europian që u goditën të parat nga kriza. Natyrisht flitet për Irlandën, Portugalinë, Greqinë dhe Spanjën edhe pse për këtë të fundit vetëm në bankat. Natyrisht kemi të bëjmë me një organizim ndërqeveritar në një kuadër të së drejtës publike ndërkombëtare, si fryt i një modifikimi të artikullit 136, të Traktatit mbi funksionimin e Bashkimit Europian. Shtetet anëtare kanë një kapital të nënshkruar prej 700 miliardësh euro 80 prej të cilëve që duhen derdhur brenda vitit 2014. Për një shtet si Italia kuota e përcaktuar ose e nënshkruar është 125,39 miliardë euro. Natyrisht huatë jepen në bazë të disa kushteve në një kuadër të ndreqjes makroekonomike dhe nga një analiza e borxhit publik që kryhet nga Komisioni bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pjesmarrjen e Bankës Qëndrore Europiane.