E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy ngjarje vendimtare, dëshmi për tradhti kombëtare, gjatë diktaturës

13-09-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Enver Hoxha, i njollosur si antikombëtar

Mjafton të përmendim vetëm dy veprime konkrete, për të përfunduar se diktatori Enver Hoxha e ka portretizuar veten, në mënyrë të prerë, si një politikan të interesave vetjake, për hir të të cilave nderi i kombit ishte plotësisht dytësor. Të dy veprimet  për të cilat do të flasim, janë lënë qëllimisht në harresë nga e ashtuquajtura historiografi prej propagandistësh panegjirikë. Janë pika kyçe komprometuese, që hyjnë në morinë  e ngjarjeve historike, të cilat hyjnë në kategorinë e veprimeve të emërtuara si veprime tabú, për të shfajësuar një person që i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme popullit shqiptar. Kuislingu ua hapi, vërtet, portat e Norvegjisë trupave ushtarakë gjermanë, gjë e cila do të jetësohej edhe po të kundërshtonte. Por nuk u dha pushtuesve  skeptrin që të qeverisnin vendin, amá!
Një gjë të tillë e ka pas bërë vetëm Enver Hoxha! Ai i tha Josif Broz Titos: eja ti, e na qeveris! Ndonëse kjo parapëlqehet të mos jetë e vërtetë nga apologjetët e Enverit, ata këtë akuzë antikombëtare nuk janë orvatur që ta hedhin poshtë. Kanë preferuar që ta bëjnë veshin shurdh. Gjenerali i kohës për të cilën po flasim, z. Ernest Jakova, e ka shprehur qartësisht  këtë të vërtetë në një libër, jo në artikuj të rastit. Ernest Jakova është një person serioz, që ka qenë në marrëdhënie ushtarake me Komandantin e që nuk ia lejonte vetes të sajonte shpifje ndaj tij. Ndërsa vetë Komandanti përpiqej të krijonte akuza të paqena përkundrejt personaliteteve ushtarake të cilat Ernesti i njihte mjaft mirë, të akuzuar kot më kot si komplotistë kundër Enver Hoxhës. Propozimi që Enveri i bënte Titos, duke i ofruar vendin e Sekretarit I të K.Q. të P. Komuniste të Shqipërisë, domethënë që të ishte drejtues i fateve të vendit tonë qysh në gjysmën e shekullit XX, është pa precedent në të gjithë historinë tonë shumëshekullore. Madje duhet të gjurmosh shumë për të gjetur një rast si ky, édhe jashtë Shqipërisë! Gafa, - për ta shprehur këtë gjest të papërfytyrueshëm me një eufemizëm, - ishte shumë e rëndë. U mundua, pra, që të lihej në harresë, me zhdukjen e numrit të parë të një reviste të Shoqatës për  marrëdhëniet miqësore Shqipëri - Jugosllavi, me synimin  që kjo dëshmi, - plojë më mirë me thënë,  - që binte erë tradhti kombëtare, të mbetej tabú. Pastaj kjo ngjarje që dëshmonte falsitetin e Internacionalizmit Proletar apo cinizmin e atij bashkim-vëllazërimi (!) u përhap, pas proceseve demokratike të nëntëdhjetës,  në prova të tjera për të cilat „historianët“ e të dy sistemeve mbetën squk! Por idolatria ndaj Enver Hoxhës në muret e ministrisë së Jashtme dhe në përurimet groteske  të 16 shtatorëve në Pezë, pas katrahurës me ngjyrime bolshevike (1997), gjë që binte ndesh me kohët kur në vendet euroatlantike, diktaturat (Nazifashiste dhe Komuniste), viheshin nën shënjestrën e stigmatizimit demokratik kudo, me përjashtim të vendit tonë.
***
Ndërsa ky dhurim pushteti  mori erë dhe u bë i njohur, pa mundur të kundërshtohet nga ata “historianë” që po përçapen t’i bëhet një përmendore diktatorit komunist, (meqë po i bëhet Ahmet Zogut I), me rastin e festës për 100-vjetorin e Pavarësisë, kjo ngjarja e dytë që do të rrëfejmë ka mbetur thuajse e panjohur. E kemi fjalën për urdhrat që merrte vendi ynë “sovran” nga Jugosllavia motër e mareshalit Tito. Urdhërohej për krime të mëtejshme.
Lexojmë një fragment të një libri. Pastaj, komenti: 20 fruer 1946. Profesor Kolë Shiroka ka konfidencë të madhe për çdo gja me mue. Ka gruen ruse. Ajo asht përkthyese besnike e Enver Hoxhës për gjuhët rusisht e serbisht. Si femen, nuk i asht durue pa i diftue të shoqit në besë, me njëqind porosi për me e mbajtë sekret tregimin e kobshëm, për çka paska sajue me ba Beogradi në Shqipni, kundër klerit katolik: “Mbas vrasjes së patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare tek Enver Hoxha. Ne bisedë e sipër Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thanë se i gjithë kleri katolik shqiptar asht Patër Antona. Prandej, për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit qi, me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa ma parë. Ata janë të lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe spiunazhi të kapitalistave imperialista”.
Kah më bisedoi Kola për këtë katastrofë qi dashka me na kapërthye, të dyve na shpërthyen lotët, jo nga ligështia, por për këto kushte kaq tragjike për Shqipninë. E nuk mundemi me bamë  kurrgja të mirë, përveçse me u përvëlue në zemër dhe me derdhë lot për fatin e zi t’atdheut tonë. E atëherë a ka sesi besohet shestimi i kësaj katastrofe për ne, prej Beogradit? Përse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistat serbë nuk e hjekin qafet klerin e tyne, qi gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikët? (Prenk Gruda: “Ditari i nji zemrës së lëndueme”. Vëll. 2, Botim: Eurorilindja, 1997).
Mund të thonë kundërshtarët e urdhrave që merreshin prej Beogradit, se Memorialistikës nuk i besohet. Por ka edhe libra kujtimesh, që janë lauruar me çmimin Nobel. Në rastin konkret jemi në këtë hullí, në pikëpamje të besueshmërisë. Autori është një nacionalçlirimtar, banues në Mal të Zi. Mik i Mehmet Shehut, Jaho Gjolikut, Haki Toskës, Gjin Markut, Myzafer Spahos, Tuk Jakovës, e shumë të tjerëve, që kishin vajtur përtej kufijve veriorë, për “të ndihmuar” Jugosllavinë që të çlirohej nga okupatorët gjermanë! Gjini nuk kundërvepronte shumë kur Prenka i kallëzonte se jugosllavët nuk shkelnin dot  në ato vende që kishin shijuar erën e lirisë. Nuk dëshironin assesí t’ua dorëzonin vendin sllavëve. Myzaferi e kuptonte fare mirë, por ngrinte supet. Nuk kishin ç’bënin. Grindjet ishin me Shefqet Peçin e me Mehmetin. Por udhëzimet vinin nga Tirana e E. Hoxhës. Pas luftës, kur Prenka erdhi në Tiranë, pas një qëndrimi të shkurtër në Shkodër (fillim shtatori, 1945), u takua përzemërsisht me Haxhi Krojin, (mik të ngushtë që në Normalen e Elbasanit). Më vonë, më 1 janar 1951, kur e kishin hequr nga mësimdhënia në shkollat e mesme dhe e kishin çuar në një tetëvjeçare të Sukthit, H. Kroji kishte ndërruar ton dhe i kishte thënë: Pushteti të afroi, por ti ndenje larg dhe e dimë sesi e interpretoje historinë në shkollat e mesme; prandaj  mos u anko nga Sukthi”.  Në Tiranë ishte takuar me Uan Filipin, nacionalçlirimtarin e dëshpëruar që i kishte  thënë “lum kush ka fatin që të shpëtojë kokën”; ishte takuar edhe me Bedri Spahin, që e porositi të jetë i kujdesshëm në të folur; me Aleks Budën, me Ramadan Çitakun (që ndaloi makinën për ta takuar, si mik i vjetër); me Dhimitër Shuteriqin (që i kishte thënë: “Fol me gjuhën e  partisë, jo me atë të Shkodrës, f. 469); me Patër Mëshkallën, me Dom Nikollë Mazrekun, e me shumë të njohur të tjerë, ndër të cilët Aleksandër Xhuvani, Shefqet Beja, Nonda Bulka, Anton Deda,  Mirash Ivanaj... Madje edhe me Enverin, në pallatin e Brigadave (16 shkurt 1947), në një festë mësuesish ku ishin ftuar 200 nxënës dhe 10 mësues. Më 5 shkurt kishte takuar ish-kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, por kishin biseduar, si fshehur, në shtëpinë e një miku. Duket se Zefi e parandjente se ç’e priste.
Më 11 mars 1951, shkruan në Sukth për komunistët, “qi na e kanë mërzitë shumë jetën”. Citojmë edhe: “Në kohën e Zogut, e hapnim gojën me u ankue për liri e të drejta. Kurse gjatë luftës, jo vetëm ankuem me arsye për të drejtat tona, por shkruem e shpërndamë trakte, demonstruem e luftuem kundër qeveritarëve tanë dhe pushtuesve.. Ndërsa tani na shkelin me shkelma, na ndrydhin shpirtnisht e na duhet me i nderue nga frika. Kjo nuk ka shoqe në histori. Na kanë kapërthye keq me pranga marksiste e nuk na mbetet veçse me ba hije mbi tokë”. Më 29 prill 1951 Prenka bën planet për arratisje nga skëterra. Përfundon në Amerikë.
Për integritetin moral të Prenk Grudës kanë shkruar Lef Nosi, Martin Camaj, Dom Nikoll Mazreku, Pjetër Mëshkalla e shumë personalitete të tjera. Më 11 prill 1994 është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I, nga presidenti i kohës, Sali Berisha. Motra e Prenkës, Age Gruda, ka pas dhënë dorëheqjen si anëtare e K.Q. të Jugosllavisë, në mars të vitit 1945, kur u vra Haki Taha (vrasësi i Miladinit) dhe, pas dy ditësh, u bë masakra e  hatashme e Tivarit. Prenka u zhgënjye nga regjimi i E. Hoxhës dhe u bë në Diasporë një personalitet i luftës kundër tiranisë së regjimit të Enverit. Është krejtësisht i besueshëm në gjithçka ka shkruar. Po ashtu në atë  dëshminë e gruas së Kolë Shirokës, që punonte pranë Enverit si përkthyese. Dëshmia e kësaj gruaje që erdhi e terrorizuar në shtëpi, dhe i tregoi bashkëshortit të saj, në besë të Zotit që të mos e bënte fjalë me njeri,  sesi merreshin urdhrat për krime prej jugosllavëve nga Enveri, nuk mund të përgënjeshtrohet as nga lakenjtë më fanatikë të Enverit. Prandaj dhamë edhe disa elemente  besueshmërie të Prenk Grudës, si edhe vlerësime personalitetesh për këtë autor, si përgjigje të katër apo pesë historianëve të të dy sistemeve, që po synojnë të bëjnë protagonizëm të vetvetes, në vigjilje të festës së madhërishme të 100-vjetorit të Pavarësisë. Xhelozia e verbër për  të derdhur vrerin e tyre atavik kundër figurës së Ahmet Zogut I, mund të shërbejë vetëm për të na bindur edhe më tej sesa të pakorrigjueshëm janë disa prej atyre që kanë qenë shërbestarë të bëmave të një terroristi, si E. Hoxha. Ajo për të cilën P. Gruda ankohet se kërkojnë t’ia mbyllin gojën me prangat e marksizëm-lëninizmit, po kërkohet të shfaqet edhe sot, kur këta soj historianësh kërkojnë të mbyllin gojën intelektualët për broçkullat e tyre, duke thënë që kryeministri ynë të mos merret me figurat historike, me aluzionin se kjo prerogativë u takon historianëve, qoftë edhe atyre që po orvaten që ta shndërrojnë të zezën enveriste, në të të bardhë. Kësisoj është e natyrshme që të hapen të çara edhe brenda radhëve të tyre, si në rastin kur ikja e Zogut nuk është tradhti kombëtare, se këtë e kanë bërë të gjithë monarkët që s’donin t’u nënshtroheshin okupatorëve. Mund të lexohet ky mendim i P. Majkos në mjaft të përditshme të ditës së sotme.
Figura politike e Enverit është dhënë , siç shihet,  vetëm në dy episode, në këtë shkrim. Për figurën morale të tij, mund të flitet, me pak fjalë,  vetëm ajo tragjedia e italianes Aurelia Terrusit, që do ta përlotë të gjithë popullin tonë, me përjashtim të disa specieve  pa ndjenja njerëzore. Aldo Terrusi, i biri, ka ardhur posaçërisht nga Italia, për t’i dorëzuar në mënyrë ceremoniale Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit, një libër (“Les cent vues de Paris”) me autografin e Enver Hoxhës. Ky libër i dhurohej nga diktatori i ardhshëm E. Hoxha, bukuroshes Aurelia. Enveri 21-vjeçar, i bënte dhurata të tilla në Vlorë, - ku familja e saj banonte që para Luftës, - për të fituar hiret e kësaj vajze të bukur, e cila, ndonëse shoqërohej me Enverin, nuk pranoi të bëhej nusja e tij. Ajo u martua me një bashkëkombës të saj. Së këtejmi, Enveri u hakmor ndaj bashkëshortit të saj, Xhuzepes, Drejtor Banke në Vlorë. Nuk merrej me politikë. E arrestoi Xhuzepen. që vdiq në burgun e Burrelit, në vitin 1952. Vejushja bukuroshe, që nuk kishte rënë në kurthin e joshjeve të Enverit, i mbeti besnik kujtimit të Xhzepes, u mbyll ne vetvete dhe vdiq duke u shprehur se s’donte të takonte asnjë. Djali i saj, Aldo, rrëfen lëngimin e familjes së tij në një libër me titullin “Rikthim në vendin e Shqiponjave”, që do të botohet me rastin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë.  Le ta lexojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht ngaqë të indoktrinuarit do t’i shmangen leximit, si mëkatarë të atij regjimi, që janë.  Le të mbahen me iluzionet e përmendores për Enverin, që do të habiste të gjithë demokratët e botës! Si ajo përmendorja e artë e Namik Hotit, - që do të bëhej prej floriri, pasi e kishte fshirë uragani popullor!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›