“Të shfrytëzojmë kohën e mbetur për të plotësuar kriteret e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE”
Vizita në Bruksel, ambasadori Sequi takim me presidentin Nishani
Ambasadori i Bashkimit Europian i akredituar në Tiranë, Ettore Sequi ka zhvilluar një takim Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Sipas njoftimit të presidencës, gjatë takimit u bisedua për vizitën e pritshme që Presidenti Nishani do të zhvillojë në Bruksel, nga data 17-19 shtator 2012, ku do të takohet me autoritetet më të larta të BE-së. Ambasadori Sequi inkurajoi Presidentin Nishani dhe nëpërmjet tij, institucionet shqiptare, të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian në lidhje me reformimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, ligjin për heqjen e imunitetit dhe reformën parlamentare.
Presidenti i Republikës nga ana e tij e garantoi Kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë se Institucioni i Presidentit dhe të gjitha institucionet shqiptare do të bëjnë më të mirën e mundshme për të shfrytëzuar në mënyrë efektive kohën e mbetur për të plotësuar kriteret që garantojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për rritjen e standardeve edhe pas këtij momenti.
Në kushtet kur tetori nuk është larg ,diplomati i BE ka nisur një sërë takimesh me drejtues të lartë, duke i paraprirë raportit të tetorit të Komisionit Europian për statusin kandidat. Takimi me Presidentin Nishani pason atë me liderin e opozitës, Edi Rama pak ditë më parë.