Bashkimi Evropian "sfidon" OKB-në
Një ditë pas votimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka mbërritur në Kosovë një nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, për të dëshmuar mbështetjen e fortë të Brukselit. Komisioneri për Zgjerim, Olli Ren, tha dje në Prishtinë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat e Unionit. Ai u takua me liderët e institucioneve vendore dhe mori pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes së financimit në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para Anëtarësimit për vitin 2008, në vlerë prej 122 milionë eurove. Kosova është çështje thellësisht evropiane dhe institucionet e Bashkimit Evropian do të vazhdojë të kenë rol të fuqishëm në stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Porositë janë përcjellë sot te liderët në Prishtinë nga Komisioneri për Zgjerim, Olli Ren, i cili paralelisht me ndihmën evropiane ka kërkuar përgjegjësi dhe angazhim të institucioneve në reformat e nevojshme në rrugën e procesit të integrimit në Union. "Për tango na duhen dy veta, tha Ren, sipas të cilit përkushtimi i fuqishëm i Bashkimit Evropian duhet të shkojë paralelisht me përparimet në Kosovë. BE mbështet përpjekjet e Kosovës për sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të të gjitha pakicave, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore për të gjithë", tha ai. Liderët kosovarë në takimet me komisionerin u zotuan se do të përmbushin kërkesat që dalin nga axhenda për integrim në Bashkimin Evropian. Kryetari Fatmir Sejdiu tha se Kosova ka dëshmuar deri tani e do të vazhdojë njësoj me përmbushjen e kërkesave për zhvillim të brendshëm dhe për të qenë faktor stabiliteti në rajon. Për të dëshmuar mbështetjen konkrete të BE-së në ditën e vizitës së tij u nënshkrua edhe marrëveshja e financimit në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para Anëtarësimit për vitin 2008, në vlerën 122 milionë euro. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Renco Davidi. Ren tha se me mbi 20 projekte konkrete BE synon të ndihmojë sundimin e ligjit, zhvillimin e biznesit, edukimin dhe lëmenj tjerë të rëndësishëm. "Dua t‘iu them të gjithë qytetarëve të Kosovës se këto janë projekte të dedikuara për të gjithë ata. Së bashku me liderët e Kosovës i kemi përcaktuar këto projekte dhe ato paraqesin nevojat konkrete për perspektivën evropiane të Kosovës", tha Ren. Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast e cilësoi synim strategjik shtetëror integrimin në BE dhe premtoi luftë të pakompromis ndaj keqpërdorimeve eventuale me fondet e BE-së në Kosovë. Po sot Komisioneri për zgjerim në BE, Olli Ren, i cili kryesonte një delegacion të Komisionit Evropian, ka qëndruar edhe në Kuvendin e Kosovës, ku është pritur nga kryeparlamentari Jaku Krasniqi dhe anëtarët e kryesisë, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rrugën që ka marrë vendi drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Olli Ren vizitoi Kosovën vetëm një ditë pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të rezolutës serbe. Ai tha se kalimin e rezolutës nuk e konsideron befasi dhe porositi që t‘i lihet drejtësisë të marrë vendimet e saj, kurse Kosova ndërkohë të vazhdojë reformat e domosdoshme.