E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim financimit të partive në fushata

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore miratoi dje dy kapituj të rëndësishëm që kanë të bëjnë me financimin e zgjedhjeve dhe median. Sipas asaj çka është vendosur, sasia e fondeve publike që ju shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhor caktohet me vendim të KQZ-së. 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend. 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare. Parashikohet që subjektet zgjedhore mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t‘i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundër vlefta në sende ose shërbime. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij, përveç rasteve kur aksioneri i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike, nëse ndodhet në një nga kushtet: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 5 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; ushtron aktivitet në fushën e medias; ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme; ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhet kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre për një fushatë zgjedhore, nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. KQZ mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshëm, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se një muaj nga data e paraqitjes së raportit. KQZ përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar, në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë që e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi.

Tabela

Disa nga ndryshimet

Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t‘i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë

Nuk mund të dhurojë para ai që ka përfituar fonde publike, kontrata apo koncesione në 5 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë

Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhet kurdoherë publike

Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë

KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur për të kryer auditimin e fondeve të përfituara

Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshëm, këqyrjen e dokumenteve



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›