Xhafa: LSI tjetër flet, tjetër bën
Fatmir Xhafa deklaroi dje se duhet nxituar për reformën në sistemin zgjedhor. Në një prononcim publik, ai insistoi se komisioni i reformës zgjedhore po punon mbi administratën zgjedhore dhe rrezikojnë të kapen disa afate. Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm parlamentar konstatoi se ekspertët po punojnë me kapacitet të plotë për të kapur afatet e vendosura. Kjo, shtoi ai, bëhet me synim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos pengohet në përgatitjen e administratës zgjedhore për parlamentaret e vitit 2009. Xhafa u ktheu përgjigje akuzave publike të drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim se nuk janë marrë në konsideratë pretendimet e tyre për votën e emigrantëve. "Në komisionin për reformën, në të cilin LSI ka përfaqësuesit e saj, të gjitha vendimet janë marrë me konsensus", sqaroi ai.