E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta e Gjinushi, skeptikë për ndryshimin e ri të Kushtetutës

Krerët e partive të vogla të së majtës duket të mos jenë dakord për të ndryshuar sërish Kushtetutën. Në artikulimet publike funksionarët e LSI e PSD, ndonëse deklarohen në mbështetje të heqjes së imunitetit hezitojnë të flasin për ndryshim të dokumentit themeltar. Më parë, këto dy parti u vunë në qendër të një lëvizjeje për të mbrojtur Kushtetutën nga ndërhyrja që iu bë më 21 prill të këtij viti.

Qëndrimi

Ilir Meta e shikon me skepticizëm nismën për ndryshimin e ri të Kushtetutës. Në një prononcim të djeshëm për mediat ai konstatoi se tanimë u bë praktikë që Kushtetuta të mos konsiderohet më si e tillë, pra si e shenjtë. "Ne nuk e kuptojmë përse çështja e imunitetit nuk u diskutua më 21 prill, por ridiskutohet përsëri", tha Meta. Ai shprehu bindjen se përgatiten edhe ndryshime të tjera kushtetuese, të cilat në fakt nuk bëhen dhe nuk synojnë as të ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe kundër korrupsionit. "Por, me sa duket, dëshirojnë t‘u mësojnë shqiptarëve faktin se Kushtetuta në këtë vend nuk ka vlerë, nuk ka rëndësi dhe se këtu duhet të sundojë arbitrariteti dhe ‘uni‘ i atij, që ka të gjitha pushtetet e vendit në një dorë të vetme, apo të përqendruar", u shpreh Meta. Ndaj, tha ai, pavarësisht se LSI-ja është shprehur dhe ka qenë gjithmonë e gatshme për të vendosur imunitetin në dispozicion të drejtësisë, përsëri ne shprehim rezervat tona për synimet reale të kësaj iniciative. "Sepse jemi të bindur se janë njëqind arsye, faktorë dhe argumente që na i forcojnë bindjet tona që iniciativa të tilla nuk synojnë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri", insistoi Meta. Duke këmbëngulur sakaq se në rast se Berisha do të kishte minimumin e sinqeritetit për të ndihmuar drejtësinë, ai do të kishte dhënë vetë i pari dorëheqjen për tragjedinë e Gërdecit, apo për skandale të tjera që po vijojnë. Më drastik në qëndrimin e tij ishte kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Në prononcimin publik, ai sqaroi se nisma për të ndryshuar sërish dokumentin themeltar është e panevojshme. "Kjo është një alibi që Berisha po përdor për të mbuluar çështje të mëdha korruptive", konstatoi Gjinushi. Sipas tij, kjo qeveri dhe kjo mazhorancë, ndërkohë që sulmon opozitën për imunitetet, i jep imunitet një trafikanti si Fazlliç apo të akuzuarve të tjerë brenda qeverisë", insistoi Gjinushi. Në arsyetimin e tij, kufizimi i imuniteteve mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur të ketë një mazhorancë të shëndoshë dhe një opozitë reale.

Përplasja

Paketa e ndryshimeve kushtetuese, votuar në parlament më 21 prill të këtij viti, shkaktoi jo pak tronditje në kampin opozitar. Partitë aleate akuzuan socialistët se tradhtuan koalicionin, duke bashkuar votat me Partinë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha. Më i flakti dhe me afatgjati në këtë qëndrim ishte kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai nxiti dhe mbështeti krijimin e komitetit për mbrojtjen e Kushtetutës, një strukturë e posaçme që denoncoi publikisht shkeljen e pretenduar për atë çka u vendos më 21 prill. Hapi tjetër i kësaj strukture ishte depozitimi i një kërkese për referendum popullor, sa i takon ndryshimeve të miratuara. Kjo u hodh poshtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e shuar si mundësi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›