Bilanci i qeverisë, PDK: Berisha dështoi me reformat
TIRANË- Partia që vazhdon të jetë ende në koalicionin e djathtë, por që pak kohë më parë u nxor jashtë nga qeverisja, PDK shfaqet krejt kritike lidhur me punën 7-mujore të qeverisë, edhe pse gjatë kësaj periudhe, ajo ka qenë pjesë e saj. Duke vënë në pah faktin se në sektorin e shëndetësisë ka pasur disa reforma të rëndësishme, por që nuk u përmendën nga kryeministri Berisha, Sekretari Politik i PDK-së, Lazër Stani, deklaroi dje se në tërësi mazhoranca e djathtë është larg realizimit të shumë prej premtimeve të marra në fushatën elektorale apo në votimet politike të programit dhe të buxhetit në parlament. “Kryeministri mund të jetë krenar se kabineti aktual që ai drejton ka qenë tri herë më e majtë se çdo qeverisje që ka pasur Shqipëria gjatë këtyre viteve, por për PDK-në dhe elektoratin e djathtë shqiptar ky është sa lajm i vërtetë, aq edhe negativ dhe me pasoja për moralin dhe integritetin qeverisës të së djathtës në Shqipëri. Detyra e qeverisë nuk është të numërojë ndërtesat e reja private, prurjet financiare të emigracionit apo investimet e dhëna në formë kredie të lartë nga shtete e organizata të ndryshme”,- tha dje Stani. Sipas tij, detyra kryesore e qeverisë është të tregojë se çfarë ka realizuar nga premtimet e saj elektorale, çfarë ka bërë me paratë e shqiptarëve, sa ka qenë e besueshme dhe efektive, sa vende të reja pune ka hapur, çfarë reformash të rëndësishme ka realizuar, me cilin shtet të madh demokratik ka krijuar bashkëpunim afatgjatë etj. “Një dështim i plotë është mungesa e reformave dhe rezultateve konkrete në çështjet më të rëndësishme ekonomike e sociale, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe ai i legalizimit. Përveç 5-6 tapive që u dhanë në fushatën e fundit elektorale lokale, ende nuk është dhënë asnjë dokument legalizimi, ndërkohë që po merren vazhdimisht vendime abuzive anti-pronë, siç ishte i shndërrimit të mjediseve sportive në sheshe të reja ndërtimi. Ne si parti e vlerave kristiane, si parti e shtetit ligjor dhe e drejtësisë, e konsiderojmë pronën të shenjtë dhe zgjidhjen e çështjes së pronësisë, duke kompensuar ish-pronarët e ligjshëm e konsiderojmë reformë thelbësore, nga i cili varet zhvillimi i mëtejshëm i vendit. Për fat të keq me ish-pronarët legjitimë është spekuluar shumë në këto shtatëmbëdhjetë vjet, ndërkohë që asnjëherë nuk është shkuar drejt zgjidhjeve ligjore dhe definitive”, tha ai. Sipas tij, çështja e pronësisë nuk mund të zgjidhet as me thirrjet voluntariste për abuzuesit me tokat dhe pronat e të tjerëve që ata ta dorëzojnë atë vullnetarisht brenda tre muajve. Stani theksoi gjithashtu se nuk luftohet korrupsioni duke arrestuar punonjës të gjendjes civile apo nëpunës komunash në fshatrat e Shkodrës e të Kukësit. “Abuzuesit e vërtetë nuk janë atje, por në bregdetin më të mirë të Velipojës, Durrësit, Vlorës,Sarandës dhe të Kavajës”, tha ai.