E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi do të bëhet realitet

Nga Express më 12 qershor 2011 në ora 17:45

Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm do të bëhet realitet përmes organizimit të popullit dhe duke iu shmangur pengesave të ndryshme politike e personale, u tha në Kuvendin e dytë të Lëvizjes për Bashkim, në të cilin do të zgjidhen organet drejtuese të kësaj Lëvizjeje.

Në këtë Kuvend me karakter pune, po marrin pjesë mbi 250 delegatë nga Degët e Lëvizjes për Bashkim nëpër komunat e Kosovës, si dhe shumë mysafirë të ftuar.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka përkujtuar qëllimin kryesor të kësaj Lëvizjeje, i cili është bashkimi kombëtar, gjë e cila do të arrihet duke evituar pengesat politike.

“Lëvizja për Bashkim qëllim kryesor të ekzistimit, punës, organizimit dhe veprimit e ka bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, çështje kjo e cila po të mos ishin pengesat artificiale që na vijnë nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, nga pushtuesit tanë, por edhe nga një pjesë e kastës politike, e cila interesat e veta i ka vënë mbi interesat e popullit, do të realizohej natyrshëm dhe pa asnjë problem. Është populli i organizuar që këto pengesa do t’i heqë pa telashe të mëdha. Çështja është që të ketë një organizim, i cili do t’i shmangë këto pengesa dhe atëherë bashkimi i popullit shqiptar në një shtet do të bëhet realitet”, ka thënë Klinaku.

Punimet e Kuvendit Zgjedhor të LB-së i ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i Listës për Shqipërinë Natyrore, Koqo Danaj, i cili tha se shqiptarët duhet të kërkojnë riparimin tërësor të dëmeve që i janë bërë popullit tonë me shekuj të tërë.

“Sot kur flitet për marrëdhënie të reja ndërkombëtare të mbështetura jo në të drejtën e forcës, por në forcën e së drejtës shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj tyre dhe mbi ta, pra të kërkojë anulimin tërësor të mbledhjes koloniale të Londrës dhe të kërkojnë dëmshpërblim në vlerën 100 miliardë sterlina nga gjashtë fuqitë e mëdha që shkaktuan këtë copëtim kolonial dhe i shkaktuan këto humbje kombit shqiptar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur bashkimin e Lëvizjes për Bashkim me Lëvizjen për Bashkim dhe Integrim në një subjekt të vetëm.

“Bashkimin tuaj unë do ta quaja në fakt bashkim për bashkim, sepse po ndodh bashkimi i dy organizatave që e kanë për qëllim bashkimin kombëtar dhe ky është vërtet një akt për t’u përshëndetur, sepse po ndodh në kohën kur përderisa të tjerët po ndahen për interesa personale e materiale ju po bashkoheni për interesin e përgjithshëm të kombit shqiptar”, ka thënë Konjufca.

Punimet e Kuvendit i përshëndetën edhe kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, anëtari i kuvendit komunal të Medvegjes Rexhep Abazi.

Avni Klinaku rizgjedhet kryetar i LB’së

Lëvizja për Bashkim ka mbajtur të shtunën Kuvendin e Dytë zgjedhor. Ka miratuar Programin dhe Statutin e organizatës. Gjithashtu u zgjodhën organet e reja udhëheqëse me mandat katërvjeçar. Kryetar u rizgjodh Avni Klinaku.
“Lëvizja për Bashkim qëllim kryesor të ekzistimit, punës, organizimit dhe veprimit e ka bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, çështje kjo e cila po të mos ishin pengesat artificiale që na vijnë nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, nga pushtuesit tanë, por edhe nga një pjesë e kastës politike, e cila interesat e veta i ka vënë mbi interesat e popullit, do të realizohej natyrshëm dhe pa asnjë problem. Është populli i organizuar që këto pengesa do t’i heqë pa telashe të mëdha. Çështja është që të ketë një organizim, i cili do t’i shmangë këto pengesa dhe atëherë bashkimi i popullit shqiptar në një shtet do të bëhet realitet”, ka thënë Klinaku. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›