E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet humanistja zvicerane Dora Vegman

Nga Express më 12 qershor 2011 në ora 19:15

Në shenjë respekti dhe nderimi për humanisten e ndjerë zvicerane, Dora Vegman, e cila kishte ndihmuar kosovarët e përndjekur gjatë luftës, të dielën në Frashër të Mitrovicës u përurua një rrugë me emrin e saj.

Në këtë ngjarje, pos kryetarit të komunës, Avni Kastrati, ishin të pranishëm edhe ministrat Bajram Rexhepi e Vlora Çitaku, si dhe zëvendës ambasadori zviceran Pjer Maurer, të cilët e çmuan kontributin e humanistes Vegman.

Kryetari Kastrati ka thënë se përkushtimi i humanistes Vegman ndaj qytetarëve të Kosovës në kohën kur ata përjetonin momentet më të tmerrshme si pasojë e shfrenimit të regjimit të Millosheviqit, ka qenë më shumë se një mbështetje morale.

“Ajo ka sensibilizuar opinionin zviceran dhe më gjerë për atë që po ndodhte në Kosovë. Ajo është lutur dhe i ka lutur të tjerët që të luten dhe të ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Kastrati.

Duke folur me tej për humanisten, emrin e të cilës prej sot e mban një rrugë në Frashër, kryetari Kastrati theksoi se mbështetja që ka dhënë për pritjen e të dëbuarve nga Kosova paraqet një segment tjetër me rëndësi.

“Si e tillë ajo ka gëzuar dhe gëzon respekt jo vetëm në vendin e saj, por në të gjitha vendet ku ka vepruar. Në këtë kontekst, një ndjenjë shumë e veçantë për të ushqehet në zemrat e qytetarëve të Kosovës që kanë dëgjuar apo janë takuar me Dora Vegman”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë ceremoni për emërtimin e rrugës me emrin e Dora Vegman, një personaliteti të shquar të popullit zviceran, e cila me mbështetjen e saj për njerëzit në vuajtje ka tejkaluar barrierat nacionale.

Ai tha se nisma e saj për të ndihmuar njerëzit që po vriteshin e përndiqeshin kishte gjetur përgjigje nga institucionet dhe nga organizatat joqeveritare e kishtare në Zvicër.

“Miku i mirë, për ditë të vështirë”, thotë populli ynë. Kjo i përshtatet më se miri kësaj gruaje dhe humanisteje të madhe, e cila kishte arritur të shoh të lirë njerëzit e Kosovës”, është shprehur Rexhepi.

Sipas tij, lidhja e saj me njerëzit do të jetë e përjetshme dhe këtë e forcon edhe më shumë bashkëpunimi dhe ndihma e vazhdueshme e shtetit zviceran për qytetarët tanë.

Ndërsa, Bahri Rexha, i cili ka marrë nismën për emërtimin e kësaj rruge, ka folur për kontributin e Dora Vegman dhe për projektin e nisur që ka të bëjë me ndërtimin e një shtëpie për pleqtë në këtë vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›