E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia “Sakharov”

Ministria e Jashtme e Kosovës tashmë ka zyrtarizuar strategjinë, me të cilën synon të përmbyllë procesin e njohjes së Kosovës. Dokumenti nuk specifikon se kur mund të arrihet ky objektiv. Aty si argument për njohje përmendet edhe fakti se Kosova është vendi i vetëm që ka dy fitues të çmimit “Sakharov”, Ibrahim Rugovën e Adem Demaçin. Nga Shpend Limoni më 12 qershor 2011 në ora 08:37

Rreth 50 shtete kanë sinjalizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa 60 të tjera nuk e kanë bërë të ditur fare qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje.

Ky është konstatimi që ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme në dokumentin e saj “Strategji për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, e cila të mërkurën e kaluar u aprovua në Qeverinë e Kosovës.

Në një nga pikat e dokumentit, MPJ e pranon se “rruga për sigurimin e njohjeve individuale është rruga më e vështirë dhe merr më shumë kohë”.

Ky dikaster ka përshkruar një varg faktorësh që janë duke e penguar këtë proces. Si një nga pengesat kyçe është përmendur kundërshtimi i Rusisë, e cila është anëtare e përhershme e KS të OKB’së, mungesa e unitetit në Bashkimin Europian për Kosovën, vlerësimi i gabuar i disa qeverive se shteti i Kosovës është shkëputur nga një shtet sovran dhe jo si shtet i krijuar nga shpërbërja e dhunshme e ish –Jugosllavisë. Po ashtu përmendet mungesa e interesit për njohje të Kosovës nga ana e shteteve që gjeografikisht janë larg, zhvendosja e Kosovës si prioritet nga ana e shteteve mbështetëse si dhe largimi nga skena politike ndërkombëtare e personaliteteve me ndikim në procesin e çlirimit dhe pavarësimin e Kosovës.

Në dokument po ashtu thuhet se Kosova ka bërë veprime konkrete rreth çështjes së njohjeve me shtetet aleate, duke përmendur SHBA’në, Britaninë e Madhe, Francën dhe shtetet e rajonit Shqipëria dhe Turqia.
Ajo që bie në sy në këtë dokument është fakti që nuk ka ndonjë afat kohor në të cilën synohet të arrihen rezultatet e përshkruara e as kostoja financiare.
Sido që të jetë aty rekomandohen veprime konkrete për institucionet e Kosovës. MPJ i ka përshkruar vetes rol kryesor në këtë proces, derisa theksohet bashkërendimi me Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin.

MPJ përmend edhe rolin e veçantë që e ka Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Në një nga pikat theksohet edhe koordinimi me diplomacinë parlamentare, të partive politike, shoqërinë civile dhe personalitetet me nam.
MPJ ka potencuar edhe mendimin e GJND’së për Kosovën duke konstatuar se ky verdikt ende nuk ka ndikuar që pesë vendet e BE’së dhe Rusia të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës.

Por, sipas MPJ’së, mendimi i GJND’së ka ndihmuar në diçka tjetër.
“Megjithatë, mendimi i GJND-së ka ndihmuar në një mënyrë tjetër: pa marrë parasysh kundërshtimet e Serbisë dhe të disa shteteve përkrahëse të saj ndaj legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ekzistenca e saj si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare tashmë pranohet në mënyrë të padyshimtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për shembull, mbi 125 shtete tashmë pranojnë pasaportat kosovare në baza formale apo joformale”

Në dokument, MPJ e pranon se dialogu teknik me Serbinë ka ndikuar negativisht në procesin e njohjeve.
”Në anën tjetër, është e qartë që dialogu i porsahapur teknik ka ofruar një pretekst të ri për një numër të shteteve që kanë hezituar në marrje vendimi karshi Kosovës. Ky fakt ka krijuar rrethana të reja, duke i dhënë pretekst të ri një numri shtetesh për të shtyrë edhe më tej njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
MPJ bën të ditur se synon të lobojë te shtetet veç e veç, grupet e shteteve dhe rajone të caktuara si dhe tek organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Në hyrje të këtij dokumenti përshkruhet edhe pjesa operacionale dhe një analizë e hollësishme e qëndrimeve ndaj pavarësisë së Kosovës të të gjitha shteteve veç e veç. Kjo pjesë, sipas MPJ’së, do të mbetet konfidenciale.

“Analizat janë konfidenciale dhe në përdorim vetëm për subjektet e përfshira në procesin e avokimit për njohje, ndërsa plani i veprimit është bazë për aktivitetet e MPJ-së dhe të Zyrës së ZKM për njohje si dhe aktorët tjerë institucionalë”.
Në dokument po ashtu janë radhitur edhe argumente të përgjithshme për njohjen e pavarësisë, që nga fillimi i shpërbërjes e dhunshme të Federatës Jugosllave deri te procesi i negociatave të Vjenës.
MPJ ka përshkruar edhe rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e si argument për njohje mund të përdoren edhe emrat e dy figurave të njohura të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.

“Kosova është shteti i vetëm evropian që ka dy fitues të çmimit prestigjioz Sakharov të Parlamentit Evropian, që mbajnë dy ikonat e disidentizmit politik dhe luftës paqësore: Presidenti i ndjerë Rugova dhe Adem Demaçi”, thuhet në njërin prej argumenteve.
MPJ ka përshkruar edhe strukturën e avokimit për njohje e cila përbëhet nga: Taskforca, Grupi i Avokimit dhe Ekipi Logjistik.
“Taskforca bashkë-kryesohet nga ZKM për Njohje (zëvendëskryeministri Pacolli) dhe MPJ-ja dhe përfshin përfaqësues të institucioneve të jashtme të Republikës së Kosovës. Do të jetë trup koordinues dhe ndërlidhës që mundëson qasje koherente, strategjike dhe shumë-nivelore. Taskforca mbikëqyr përmbushjen e strategjisë dhe këshillon anëtarët dhe pjesëmarrësit në Grupin për Avokim në implementimin e aktiviteteve relevante”, thuhet në dokument.

E si pjesë e planit për njohje përmendet edhe ristrukturimi i shërbimit diplomatik të Kosovës, përfshirë edhe emërimin i ambasadorëve “at large” dhe emisarëve në grupe të shteteve dhe organizata ndërkombëtare.

“Forcimi cilësor i përfaqësive diplomatike në qendrat strategjike për njohje, gjegjësisht Washington, New York, Londër, Bruksel, Paris, Ankara dhe Riad, në konsultim me ambasadorët përkatës; Hapja e nga një ambasade në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine në afate të pajtuara kohore”, thuhet në dokumentin e MPJ’së.
Dokumenti po ashtu përmend përfshirjen e shumë aktorëve në punët e jashtme dhe realizimin e njohjeve si prioritet. Aty përmenden Presidentja Jahjaga, Zëvendëskryeministri Pacolli, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe Ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku si aktorë me hise kryesore në këtë çështje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›