Ferizaj kremton Ditën e çlirimit
Qytetarët e Ferizajt kanë festuar të dielën 12-vjetorin e çlirimit të qytetit nga pushteti robërues dhe gjenocidial serb. Me këtë rast homazhe dhe kurora me lule janë vendosur në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa ish-luftëtarë të UÇK-së kanë evokuar momente kujtimi nga kjo ditë që solli lirinë e shumë pritur.
Gazmend Bytyçi, njëri nga pjesëtarët e njësitit të UÇK-së që në këtë ditë hyri triumfalisht në qytet, ka thënë se është i mbërthyer nga emocione të shumta, sa herë kujton atë detaj shumë të rëndësishëm të jetës së tij.
“Janë momente të papërsëritshme dhe të paharrueshme. Janë moment kujtimi me emocione edhe krenarie. Ne nuk erdhëm vetëm këtu, pasi lamë pas vete në pozicione shokët tanë, eshtrat e shokëve tanë, por megjithatë ne erdhëm me frymën e tyre, me lirinë”, ka thënë Bytyçi.
Edhe kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar që në historinë e popullit shqiptar në përgjithësi do të shënohet me shkronja të arta.
“Besoj se kjo nuk ka marrë fund për shqiptarët, por për ne në Kosovë vërtet është një ditë e madhe. Tani ne kemi shtetin e Kosovës, për të cilin është bërë shumë sakrificë dhe ne u detyrohemi gjithë atyre që ranë për liri, në rend të parë dhe atyre që kontribuuan për të qenë sot të lirë”, ka thënë ai.
Për njërin prej komandantëve të shquar të UÇK-së, Elmi Reçica, tash deputet i Kuvendit të Kosovës, qershori është muaj që nënkupton angazhimin e popullit, luftën e tij, rënien dhe arritjen e qëllimit suprem.
“Lavdia u takon të rënëve për këtë ditë, por edhe gjithë të rënëve të angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi”, ka thënë Reçica.
Për nder të kësaj dite në orët e mbrëmjes do të mbahet një akademi solemne, ndërsa fotografi ferizajas Eqrem Ejupi, ka hapur një ekspozitë të fotografive. /kosovapress/