'Këshilli nacional serb' në veri kundër konferencës së NATO-s
I ashtuquajturi Këshill nacional serb në veri të Kosovës është shprehur kundër konferencës treditore të NATO-s, që do të fillojë të hënën në Beograd.
Në një komunikatë për mediat serbe në veri të Mitrovicës, e cila është nënshkruar nga i ashtuquajturi kryetar i këtij Këshilli, Millan Ivanoviq, thuhet se për dallim nga kreu i shtetit serb i cili këtë konferencë e prezanton si një eveniment historik për Serbinë, popullata serbe në veri të Kosovës këtë e konsideron si një akt nënçmues për Serbinë.
“Populli serb nuk është një publik i mirë dhe kurrë nuk do të besojë në përrallat se nga kjo konferencë e NATO-s Serbia do të ketë profit të madh. Një publik tjetër, ndoshta do të besonte nëse Tadiq, Shutanovac dhe Millorad Periq do të kumtonin se NATO do të paguajë dëmshpërblim prej 100 miliardë dollarësh vendit tonë për shkak të dëmeve të shkaktuara ndaj Serbisë gjatë bombardimeve të vitit 1999, pastaj se do t’i kthejnë rreth 260 mijë serbë të përndjekur, si dhe të anulojnë shpalljen kriminale të pavarësisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.