Bashkimi familjar në Amerikë, procedurat e aplikimit
Jonida Tashi
Të emigrosh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të jetosh atje përgjithmonë është një vendim i rëndësishëm dhe i komplikuar. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar disa informacione, për të ndihmuar qytetarët e huaj, që dëshirojnë të emigrojnë përgjithmonë në Amerikë, që të përcaktojnë vizat, kërkesat, dhe materialet që i duhen për të aplikuar për emigracion në Shtetet e Bashkuara. Në përgjithësi, në mënyrë që të aplikojë për një vizë emigrimi, një qytetar i huaj duhet të sponsorizohet nga një ose disa të afërm qytetar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një rezident amerikan i përhershëm ligjor, ose nga një punëdhënës i ardhshëm, dhe të jetë përfituesi i një peticioni të miratuar nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare. Prandaj hapi i parë është dorëzimi i peticionit.
Procedurat e aplikimit
Autoritetet amerikane publikojnë procedurat që duhet të ndiqen për të kryer bashkim familjar në këtë vend. Nëse dëshironi të merrni bashkëshortin/en tuaj të huaj në SHBA, por ndërkohë jetoni jashtë SHBA-ve, ju duhet të paraqisni një kërkesë për vizë (formulari I-130), pranë zyrës tuaj vendore të Shërbimeve mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA, apo drejtpërdrejt në Ambasadën e SHBA-ve, ku qëndron bashkëshorti/ja juaj i/e huaj. Paraprakisht ju duhet që më parë të konsultoni, nëse Ambasada e SHBA-ve pranon kërkesa për viza imigratore. Me t’u miratuar kërkesa për vizë, bashkëshorti/ja i/e lindur jashtë do të marrë një paketë nga Qendra Kombëtare e Vizave (NCV), e cila ndodhet në Portsmuth, Hemshir. Paketa e informon bashkëshortin/en i/e huaj mbi dokumentet e ndryshme që duhen për intervistën mbi vizën imigratore jashtë SHBA-ve (pasaporta, dëshmi të policisë, rezultate të vizitave mjekësore etj.). Paketa përmban disa dokumente, duke kërkuar që të plotësohen disa të dhëna biografike, të nënshkruara dhe drejtuar Ambasadës apo Konsullatës së SHBA-ve jashtë. Zakonisht, bashkëshorti/ja i/e huaj intervistohet dhe i lëshohet një vizë imigratore brenda 3-6 muajsh. Nëse ju dhe bashkëshorti/ja juaj po planifikoni të qëndroni jashtë SHBA-ve, pacaktueshmërisht në kohë, rekomandohet të mos paraqisni kërkesë për “Green Card”. Ky dokument mund të anulohet në një port hyrjeje në SHBA, nëse keni kaluar më shumë se 6 muaj jashtë SHBA-ve. Nëpunësi i Imigrimit në portin e hyrjes do të detyrohet të përcaktojë nëse SHBA është rezidenca juaj kryesore, pra përgatituni për një sërë pyetjesh. Të ndihmosh një anëtar familjeje, qoftë ai/ajo bashkëshort/e, i/e fejuar, prind, motër apo vëlla në përgjithësi për t’u bërë rezident i vazhdueshëm në SHBA, duhen ndjekur procedurat e mëposhtme. Nëse në shikimin e parë duket e thjeshtë, sidoqoftë ka shumë nuanca në çdo tip të vizës bazuar në motive familjare. Së pari, duhet që Shërbimet mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA (USCIS), të miratojnë një kërkesë (I-130) tënden. Shtetësi i SHBA e plotëson këtë formular në emër të të afërmit që u lind jashtë. Kjo duhet shoqëruar me prova të lidhjes familjare dhe disa dokumente të tjera, që të nisë procesi i imigrimit me motive familjare. Së dyti, Departamenti i Shtetit duhet të përcaktojë nëse ka një numër vize të disponueshme për shtetasin e huaj, sipas kategorisë për të cilën paraqitet kërkesa, qoftë edhe në rastin kur një person i tillë tashmë jeton në SHBA. Hapi i tretë për imigrimin me motive familjare, nëse i afërmi tashmë është në SHBA, ai/ajo duhet të paraqesë kërkesë për ndryshimin e statusit të tij/saj në atë të një rezidenti të ligjshëm, pasi bëhet i disponueshëm numri i vizës.
Bashkimi familjar
Akti i Emigracionit dhe Kombësisë lejon emigrimin e të huajve në SHBA, bazuar nga lidhja familjare që përfituesi ka me një qytetar të SHBA-ve ose rezident i përhershëm ligjor me “Green Card”. Emigrimi bazuar në familje bazohet në dy kategori: të palimituar dhe të limituar. Të palimituarit: të afërmit e drejtpërdrejt të një qytetari amerikan (IR): bashkëshorti/ja, i/e ve, fëmija i pamartuar nën moshën 21 vjeç, dhe prindi i qytetarit amerikan me moshë 21 vjeç e sipër; rezidentët që rikthehen (SB): emigrantët që kanë jetuar më parë në SHBA si rezidentë të përhershëm ligjorë dhe që janë duke u kthyer në SHBA mbas një vizite jashtë SHBA-ve për më shumë se një vit. Të limituarit: preferenca e parë familjare (F1): djemtë dhe vajzat e pamartuara të qytetarit amerikan dhe fëmijët e tyre, në qoftë se kanë (23,400); preferenca e dytë familjare (F2): bashkëshortët/et, fëmijët minor, dhe djemtë dhe vajzat e pamartuara mbi 20 vjeç rezidentëve të përhershëm ligjor (114,200). Të paktën 27 për qind e të gjithë vizave të kësaj kategorie janë për bashkëshortët/et dhe fëmijët; pjesa e mbetur do t’u lihet djemve dhe vajzave të pamartuar; preferenca e tretë familjare (F3): djemtë dhe vajzat e martuar të qytetarëve amerikan, si dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre (23,400); preferenca e katërt familjare (F4): vëllezërit dhe motrat e qytetarëve amerikan mbi moshën 21 vjeç, si dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre, kur qytetarët amerikan janë të paktën 21 vjeç (65,000). Për bashkim familjar, zyra konsullore e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shqipëri pranon dorëzimin e peticioneve (formulari I-130) për bashkim familjar nga qytetarët amerikan me banim në Shqipëri me të afërmit e tyre relativ. Në qoftë se ju jeni një qytetar amerikan rezident në Shqipëri, ju mund të dorëzoni formularin I-130, peticion për të afërm të huaj, në zyrën e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në mënyrë që t’ju pranohet dorëzimi i peticionit, ju duhet të provoni që jeni rezident të Shqipërisë për më shumë se 6 muaj, duke prezantuar një leje qëndrimi, të lëshuar nga organet e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Në qoftë se ju jeni një qytetar amerikan rezident në SHBA, ju duhet të dorëzoni formularin I-130 në zyrën e Shërbimit Amerikan të Emigracionit (U.S.Citizenship and Immigration Services - USCIS) të vendit ku ju banoni.
Kushtet e lëshimit të vizave
Që t’ju lëshohet një prej vizave ju duhet të plotësoni kërkesat si më poshtë:
Ju duhet të jeni i/e martuar ligjërisht. Vetëm fakti se jetoni së bashku nuk e kualifikon martesën për imigrimin. Partnerët e pamartuar, po kështu nuk janë të përzgjedhshëm të sponsorizojnë viza për në SHBA.
Në shumë raste ju duhet të keni rezidencë në SHBA për të paraqitur kërkesën.
Ju duhet të jeni 18 vjeç dhe më shumë para se të nënshkruani Garancinë e Mbështetjes (“the Affidavit of Support”), e cila është një formular që do t’ju kërkohet më vonë.
Llojet e vizave emigruese
Hapi 1
Në përgjithësi, për të qenë i përshtatshëm për të aplikuar për një vizë emigruese, një qytetar i huaj duhet të sponsorizohet nga një i afërm qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një rezident Amerikan i përhershëm ligjor, ose nga një punëdhënës i ardhshëm, dhe të bëhet përfitues i një peticioni të aprovuar nga Shërbimet Amerikane të Qytetarisë dhe Emigracionit (SHQE).
Mësoni më shumë rreth proceseve të ndryshme të kategorive kryesore të emigracionit, të cilat janë: të afërmit e menjëhershëm dhe të sponsorizuar familjarisht; emigracioni familjar; martesa me një qytetar të huaj; bashkëshorti(ja) ose i(e) fejuari(a) e një qytetari amerikan; bashkëshorti(ja) e një rezidenti të përhershëm ligjor në SHBA; të birësosh një fëmijë; vizat e punës (emigruese); punësim: punonjësit fetar. Programi i Vizave të Diversitetit (Lotaria): këto lloj vizash nxirren nga vende me shkallë emigracioni të ulët. Ndryshe nga llojet e tjera të vizave emigruese, vizat e diversitetit nuk kërkojnë një sponsor amerikan, prandaj nuk është e nevojshme të dorëzohet peticion.
Hapi 2
Pasi peticioni i emigrimit miratohet (duke përjashtuar aplikantët e vizave të diversitetit) nga SHQE, pastaj procesi tjetër është përpunimi paraprak i dokumentacionit për një vizë nga Qendra Kombëtare e Vizave (QKV) e Departamentit Amerikan të Shtetit.
4 Qershor 2010