E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi dyzetvjeçar i yllit artistik të Yllka Mujos



Fiks 41 vjet më parë, aktorja Yllka Mujo kishte tërhequr vëmendjen e regjisorit llir Gjika aq sa do t’ia ndërronte mendjen që rolin kryesor të filmit “I teti në bronz” t’ia besonte një vajze të re që asnjëherë më parë nuk e kishte sprovuar veten në aktrim. Dy vjet më pas, të njëjtën rrugë e kishte ndjekur edhe kolegu i tij, Dhimitër Anagnosti, i cili po ashtu kishte gjetur vend për Mujon në projektin e tij filmik “Malet me blerim mbuluar”. Për të dy regjisorët, talenti i Mujos kishte qenë një befasi e mirë, përderisa vetë aktores ajo përvojë do t’ia ndryshonte jetën. “Asnjëherë nuk jam penduar dhe shpresoj të mos pendohem kurrë”, ka thënë Mujo në një tw përditshme Kosovare. As tani që ka lëshuar “rrënjë” të thella në skenën artistike shqiptare, duke e shfrytëzuar gjithë energjinë në rolet e shumta që ka pasur në film dhe shfaqje teatrore - si “Mbretëresha e bukur”, “Intrigë e dashuri”, “Zonjusha Julia nga Stringberg”, “Filumena Marturano”, “Honey Moon” - ajo nuk është ngopur me këtë profesion. Së fundi Mujo ka shkelur edhe në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës me rolin e Osejës në “Peer Gynt” me tekst të Ibsenit dhe regji të Slobodan Unkovskit. Mishërimi me rolet në dy filma të regjisorëve shqiptarë, i kishin mjaftuar Mujos që të ndërronte mendjen dhe të “tradhtonte” këngën për t’u zhytur thellë në botën e aktrimit. Tani që ka mbushur 56 vjet prej të cilave katër dekada ia ka “falur” teatrit e filmit, ajo thotë se nuk është bërë as edhe një herë të vetme pishman që ka zgjedhur këtë rrugë. “Është gjëja që më së miri di ta bëj dhe nuk do ta lë kurrë. Është si një shpellë që nxjerr mineral dhe ti nuk e di se çfarë minerali tjetër do të dalë. Nuk të vjen ta braktisësh, sepse është një gjë që vazhdimisht gjen vetën dhe justifikon të qenurit tënd”, thotë ajo. Yllka Mujo kishe qenë vetëm tetëvjeçare kur për herë të parë kishte provuar ethet e skenës, kur ishte ngjitur për të kënduar në një festival fëmijësh. “Prej atëherë kam marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijëve që janë organizuar dhe gjithmonë jam kurorëzuar me çmim të parë”, kujton Mujo, duke shtuar se pas disa vitesh kishte filluar studimet për kanto. Por diploma që dëshmonte për talentin e saj muzikor, nuk do t’i hynte shumë në punë. Ajo do të bënte kthesën më të madhe në jetë duke iu “përveshur” punës që të fillonte studimet për aktrim. Pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ajo do të niste një jetë shumë aktive sa i përket aktrimit. Për këngën, nostalgjia nuk i është shuar as sot e kësaj dite. “Nuk i jam kthyer asnjëherë këndimit, por kam pasur fatin që herë pas here në teatër të kem role ku është dashur t’i këndoja, siç ka qenë ai në “Nata e 12-të”. Kam pasur dhe vazhdoj të kem nostalgji, por ku kam mundësi e shfrytëzoj talentin për këndim”, ka thënë Mujo. Teksa bën llogaritjet e roleve që ka portretizuar deri më tani, Mujo thotë se shumica prej tyre kanë qenë role kryesore. Por ajo vazhdon të ruajë modestinë dhe nuk e quan privilegj këtë fakt. “E quaj privilegj faktin që merrem me një profesion të cilin e dua, por regjisorët m’i kanë besuar rolet kryesore, sepse ia kam bërë shërbimin punës”, thotë Mujo. “E dashuroj dhe nuk dua ta humb një gjë që e dua”, vazhdon fjalinë pas një psherëtime të lehtë. Por, Mujo nuk di të veçojë ndonjërin prej roleve. Për të janë të gjithë njësoj. “Kanë qenë të gjitha role të fuqishme, që i kam dashur shumë”, thotë me bindje Mujo. Një jetë e tërë në skenë për Mujon nuk është se nuk i është shpërblyer ndonjëherë. Përveçqë e ka përmbushur si njeri, profesioni i aktores i ka sjellë edhe shumë çmime. Së fundi, Mujo ka marrë çmimin “Mjeshtre e madhe e punës” që i është ndarë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Për Mujon, ky nderim ka një rëndësi të veçantë. “Ne e dimë që populli na do dhe na vlerëson, sepse këtë e ndiejmë sa herë që dalim në skenë, por kur shteti yt të vlerëson sigurisht që ka një kënaqësi të veçantë, sepse tregon që shteti ndjek kulturën dhe ky është një tregues i mirë”, ka thënë ajo. Por, Mujo nuk heziton të shprehë pakënaqësinë e saj për vëmendjen jo të merituar që i jepet kulturës shqiptare në përgjithësi. “Kam idenë që në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët për kulturën nuk bëhet aq sa duhet. Gjithmonë dalin pretendime se mungojnë paratë. Arti është kultura shpirtërore e kombit, është një pasqyrë që tregon se ku ka arritur një popull dhe duhet t’i jepet më shumë vëmendje”, porosit Mujo. Edhe pse ende nuk e ka hartuar agjendën e sezonit të ardhshëm, Mujo ka pranuar të shpalosë disa prej planeve që e presin. “E di që me shfaqjen ‘Peer Gynt’ këtë vit do të jemi në Butrint, Ohër dhe në Sarajevë. Për diçka tjetër ende nuk e di”, ka thënë ajo.
Për Mujon, publiku gjithmonë zë një vend të rëndësishëm në karrierën e saj. Ajo thotë se nuk e ka pasur të vështirë ta “bëj për vete” publikun pasi e ka pasur formulën. “Më ka dashur, sepse e kam dashur. Publiku flet në gjuhën e vet dhe është një komunikim i padukshëm, por që ekziston dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm qoftë për aktorin edhe publiku”, ka thënë Mujo.

Marr nga “Kohën Ditore”

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›