Lioni e Atletiko, 90 minuta larg kualifikimit
Lioni dhe Atletiko i Madridit kanë bërë të pamundurën në ndeshjen e parë të kualifikueseve për në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, teksa kanë fituar ndaj rivalëve respektivë (5-1 Lioni ndaj Anderlehtit dhe 2-3 Atletiko në fushën e Panathinaikos). Ish-kampionët e Francës kanë bërë një ndeshje fantastike në “Gerland” të mërkurën e shkuar kur mbyllën pjesën e parë 4-0 kundër fqinjëve belgë. Në këtë mënyrë, shuma prej 20 milionë euro që përfitohen nga UEFA për kalimin e kësaj faze është thuajse e garantuar në arkën e Zhan Mishel Ola, i cili gjatë kësaj vere ka investuar 72 milionë euro për përforcimin e skuadrës. Në kushte thuajse të ngjashme me francezët është edhe skuadra e Abel Resino, të cilës i mjafton një barazim ose fitorja për të kaluar më tej. Mes klubeve të tjerë të mëdhenj të Evropës, në fazën në grupe gjenden edhe tre gjigantët spanjollë: Barcelona, Reali i Madridit dhe Sevilja. Tre golat e shënuar në Athinë nga treshja amerikano-jugore: Aguero-Forlan-Rodrigez, kanë shtuar ndjeshëm entuziazmin në kampin e ‘bardhekuqve’. Ndërsa në ndeshjet e tjera, FC Zyrih, që fitoi 3-0 në fushën e Ventspils, nuk duhet të vuajë shumë, po ashtu si Makabi Haifa përballë Salzburgut. Edhe klubi i Debrecenit do të synojë ruajtjen e portës së paprekur përballë Levskit të Sofies, pas fitores 2-1 të arritur në Bullgari.
NDESHJET
Sherif-Olimpiakos 0-2
Kopenhagen-APOEL 1-0
Selltik-Arsenal 0-2
Timishoara-Shtutgart 0-2
Sporting-Fiorentina 2-2
Panathinaikos-Atletiko M. 2-3
Levski-Debreceni 1-2
O.Lion-Anderleht 5-1
Salzburg-Makabi Haifa 1-2
Ventspils-Zyrih 0-3