E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkimi ideologjik” si politike e re



Nga prof. as. dr. Gjok Vuksani

Gjatë ditëve të fundit, Kryeministri Berisha ishte në Kurbin, ku përuroi fillimin e dublimit të autostradës Milot–Fushë-Krujë, një investim prej 50 milionë eurosh.

Shumëkush nga shqiptarët e ka dëgjuar problematiken e kësaj rruge të quajtur “autostrada e vdekjes”, edhe si pasojë e anonçimit të aksidenteve si lajm të parë nga televizionet.

Pra, kishte një problematikë vrastare dhe kemi një zgjidhje përfundimtare nga qeveria, realizimin e një rruge me 4 korsi dhe me një zonë sigurie.

Projektimi dhe realizimi i saj u bë nga specialistët e DPRR-së mbi studime të trafikut rrugor dhe leverdishmërinë ekonomike të saj.

Pra, që të realizohen studime, investime, prosperitet në këtë vend nuk ka nevojë as për vullnetarë, as për bashkim përtej së majtës dhe së djathtës, as për një lider më gjatësi mbi 2 m.

Ndërkohë, edhe investimet e tjera në shkollat e Fushë-Mamurrasit, Shënkollit dhe Bashkisë Mamurras, si dhe rrugët e Tales, Zhejës, Patokut dhe Adriatikut janë realizuar mbi bazën e projekteve konkurruese dhe mbështetjen nga qeveria shqiptare.

Në këtë zallamahi deklaratash nga “politika e re”

Një plak i vjetër nga Kurbini më pyeti me shqetësim”

- Or deputet, ky burri i gjatë që kam parë në televizion dhe që thotë se duhet të bashkohemi të gjithë, për çfarë e ka fjalën, se unë kam 50 vjet që jam ndarë me vëllanë dhe 20 vjet me djalin dhe nuk e kam ndërmend të bashkohem më me ta, sepse gjithsecili jeton më mirë në punë të vet?

Unë u mundova t’i shpjegoj atij se bashkimi që pretendon ai, është ideologjik, jo fizik, por ai nuk donte të më kuptonte.

Por në thelb, ky plak i urtë kishte të drejtë, sepse në ekonominë e tregut nuk ka nevojë për bashkim përtej së majtës dhe të djathtës që të rriten rrogat dhe pensionet e shqiptarëve.

Nuk ka nevojë për bashkim ideologjik që të rriten të ardhurat nga tatimet dhe doganat, sepse realizimet janë shembullore në këto 4 vite të qeverisjes së qendrës së djathtë.

Ne jetojmë në një shoqëri të lirë ku në qendër është individi me liritë dhe të drejtat e tij dhe çdo gjë realizohet mbi bazën e ligjeve të ekonomisë së tregut.

Që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa, atë që kërkuam ne, në dhjetor të ’90-s nuk nevojitet “politika e re” e PS-së, që thërret të bashkohemi dhe pastaj mund të fillojmë që të punojmë.

Po sikur, “larg qoftë”, të mos bëhet ky bashkimi ideologjik, sikur shqiptarët të mos dëshirojnë të bashkohen, çfarë do të bëjë “politika e re”? A do të bëjë ndonjë projekt, program e punë në këtë vend apo do të përpiqet deri në fund, vetëm që të bashkojë njerëzit në formën e kolkozeve sovjetike.

Kjo politikë e bashkimit ideologjik e ka frymëzimin tek organizatat satelite të PPSH-së si: Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Rinisë, Bashkimi i Gruas, ku njerëzit ishin të detyruar që të rendnin nëpër aksione “zhveshur e zbathur”, duke lënë pas dore familjen, vetëm që t’i shërbenin partisë dhe liderit absolut.

Mendoj se ky model nuk mund të përsëritet më, përvoja jonë e tmerrshme 50- vjeçare ka qenë e mjaftueshme, nuk mund të këtë njeri në këtë vend që të rendë pas një politike të tillë të vjetër sa vetë njerëzimi.

Së fundi, dua t’i bëj një pyetje ithtarit të bashkimit, zotit Rama: “A do ai të bashkohet me NATO-n?” dhe në qoftë se po, le ta përshëndesë momentin historik të anëtarësimit të Shqipërisë.

Unë, personalisht, ndihem mjaft fatlum që kam qenë deputet gjatë këtyre 4 viteve të qeverisjes së mazhorancës dhe kam votuar aktet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ndihem mjaft mirë me këtë qeverisje të mazhorancës që realizoi një sërë reformash: ekonomike, ligjore dhe politike.

Prandaj, unë e shpreh hapur se krenohem me Kryeministrin e Shqipërisë që arriti të na fuste në NATO dhe së shpejti të aplikojmë për Bashkimin Evropian.

Rama të punojë për bashkimin ideologjik të shqiptareve përtej së majtës dhe së djathtës, ndërsa ne po integrojmë Shqipërinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›