E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata pezullon shqyrtimin e kërkesave për ulje dënimi dhe lirim me kusht



Pezullohen përkohësisht shqyrtimet e kërkesave për ulje dënimi dhe lirim me kusht në Gjykatën e Tiranës. Shkak është bërë një kërkesë dërguar Ministrisë së Drejtësisë nga Gjykata e Tiranës, lidhur me personat e dënuar që përfitojnë nga Shërbimi i Provës dhe moskthimi ende i një përgjigjeje zyrtare nga ana e institucionit të lartë të drejtësisë. Me anë të kësaj kërkese, gjykata kërkon të dijë sa persona përfitojnë nga Shërbimi i Provës, cilat janë kriteret dhe nëse ka një listë konkrete, me qëllim që t’u japin rrugë kërkesave të paraqitura nga një numër i konsiderueshëm të dënuarish, jo vetëm në Gjykatën e Tiranës, por në të gjitha gjykatat ku ka burgje pranë. Për këtë arsye, të gjitha seancat gjyqësore në pritje për t’u zhvilluar gjatë këtyre ditëve janë shtyrë, deri në marrjen e një përgjigjeje nga Ministria e Drejtësisë. Një fakt i tillë u bë i ditur dje gjatë shqyrtimit të kërkesës për lirim me kusht të kërkuesit Sokol Koçiu, ku gjyqtari Arben Micko e shtyu si seancë me këtë arsyetim. Sipas tij, Ministrisë së Drejtësisë i është dërguar një letër pak kohë më parë, me anë të së cilës gjyqtarët kërkojnë të dinë kriteret për Shërbimin e Provës për të dënuarit që përfitojnë, duke qenë se aty do ngrihet zyra për dënimet alternative, nëse kanë lista konkrete të përgatitura, meqenëse kanë të paktën 34 kërkesa në tavolinë për të shqyrtuar. Ndaj dhe, sipas gjyqtarit, do të shtyhen të gjitha shqyrtimet e kërkesave për ulje dënimi dhe lirime me kusht, derisa të merret një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë. Madje, sipas gjyqtarit, Ministrisë së Drejtësisë i është nisur një kërkesë edhe për rastin e Koçiut, por nuk është marrë asnjë përgjigje. Në Gjykatën e Tiranës pritet të shqyrtohen 34 kërkesa për ulje dënimi dhe lirime me kusht, për të cilat është zhvilluar nga një seancë apo pritet të nisin të shqyrtohen. Gjithçka do të vazhdojë të ngelet e pezulluar, derisa nga Ministria e Drejtësisë t’i jepet udhë fillimit të Shërbimit të Provës. Ndërkohë që për të përfituar nga Shërbimi i Provës, burgjet na vënë në dispozicion edhe kriteret e vendosura me rregullore. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është përgatitur një listë dhe janë të paktën 350 të dënuar që do të përfitojnë nga Shërbimi i Provës.

Zyra e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë

Në Ministrinë e Drejtësisë pritet të ngrihet Zyra e Shërbimit të Provës, e cila do të përcaktojë të dënuarit apo të paraburgosurit që do të përfitojnë nga ky shërbim, në bazë të kritereve të bazuara në ligj. Kjo ka qenë arsyeja pse Gjykata e Tiranës i është drejtuar me një letër këtij institucioni, nga i cili pret përgjigje lidhur me kategoritë përfituese, kur fillon dhe kush përfiton nga Shërbimi i Provës. Ndërkohë është përgatitur edhe një draft-rregullore, që do të jetë udhërrëfyesi i kësaj zyre me udhëzimet përkatëse, në nene të veçanta, që shpjegon funksionimin e shërbimit të provës, personat që përfitojnë, kriteret e vendosura, kur pezullohet ky shërbim në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e të dënuarve apo të paraburgosurve. Ndërkohë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është përgatitur prej disa kohësh një listë të dënuarish që përfiton. Bëhet fjalë për 350 të dënuar, por që sipas burimeve, nuk do të thotë se është lista përfundimtare e përfituesve nga Shërbimi i Provës. Kjo listë është përgatitur nga psikologët dhe sociologët në burgje, të cilët kanë shqyrtuar dosjet e të dënuarve. Burimet zyrtare na shpjegojnë edhe mënyrën sesi do funksionojnë Shërbimi i Provës, i cili do funksionojë në dy mënyra, i plotë dhe i pjesshëm. “Do ketë shërbim të plotë të provës për të gjithë të dënuarit që pas përfundimit të shërbimit do kthehen në banesat e tyre, gjithmonë të mbikëqyrur nga një polic përgjatë ditës. Ndërsa shërbimi i pjesshëm është ai i gjysmëlirisë, kur i dënuari pas shërbimit të provës kthehet në darkë në burg. Por, burgjet do sigurojnë mbikëqyrje të plotë të personave që do përfitojnë nga Shërbimi i Provës, për të parë mënyrën e funksionimit dhe respektimit nga të dënuarit. Me anë të këtij shërbimi, pritet që në burgje të ulet ndjeshëm mbipopullimi, ndërkohë që do të jetë i madh numri i përfituesve, duke shmangur në këtë mënyrë burgun.

Shërbimi i Provës, i pjesshëm

Për dënimet gjer në një vit burgim, gjykata kur vëren rrethana të rënda familjare, mjekësore, arsimore, profesionale apo shoqërore mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim në gjysmëliri. Personi i dënuar që vuan dënimin në gjysmëliri është i detyruar të kthehet në burg pasi ka kryer detyrimet jashtë burgut brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata. Kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimet sipas këtij neni, gjykata urdhëron revokimin e ekzekutimit të vendimit në gjysmëliri dhe urdhëron personin e dënuar të vuajë kohën e mbetur në burg. Këta të fundit do të penalizohen edhe me 4 muaj burg më shumë në rast se do të thyejnë rregullat që përfshihen në dënimet alternative.

Shërbimi i Provës, i plotë

Gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë gjer në dy vjet burg me qëndrimin në shtëpi në këto rrethana. Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç që jetojnë me të; për persona në kushte të rënda shëndetësore që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë burgut; për personat mbi 60 vjeç që janë të paaftë nga ana shëndetësore; për të rinjtë nën moshën 21 vjeç me nevoja të dokumentuara shëndetësore studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Kur vendos vuajtjen e dënimit me qëndrim në shtëpi, gjykata urdhëron personin e dënuar të mos largohet nga banesa e tij. Ndërsa, për personat e dënuar që nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore të jetesës, autorizohen nga gjykata të largohen nga vendbanimi gjatë ditës apo për aq kohë sa është e domosdoshme për të siguruar këto nevoja apo për t’u angazhuar në aktivitete pune. Në këtë rast, gjykata përcakton masat që duhet të kryejë shërbimi i provës. Ndërkohë që gjykata revokon qëndrimin në shtëpi, kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në ligj, ose nëse personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendi i banimit apo shkel detyrimet e caktuara në vendim.

Kriteret për përfitim të shërbimit të provës

* Figura e veprës penale

* Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit

* Mosha

* Kushtet shëndetësore apo mendore

* Mënyra e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht që lidhen me familjen

* Arsimimi

* Puna e zakonshme e të dënuarve

* Rrethanat e kryerjes së veprës penale

* Sjellja pas kryerjes së veprës penale

* Kushte të tjera të rëndësishme

Detaj

34 janë kërkesat e paraqitura në gjykatë për ulje dënimi dhe lirim me kusht

Personat që kanë kërkuar ulje dënimi dhe lirim me kusht

1. Arif Mata lirim me kusht Gerd Hoxha

2. Gentian Neza ulje dënimi Ilir Çeliku

3. Fatjon Saliu lirim me kusht Fatmira Hajdari

4. Silvi Bajramaj ulje dënimi Sokol Tona

5. Elvis Kosturi lirim me kusht Gjin Gjoni

6. Durim Onuzi ulje dënimi Sokol Tona

7. Meliha Hyka ulje dënimi Ridvan Hado

8. Manushe Meçe ulje dënimi Ridvan Hado

9. Mariglen Gjeçi ulje dënimi Ridvan Hado

10. Novruz Nurka lirim me kusht Petrit Çomo

11. Sokol Pareshi lirim me kusht Martin Deda

12. Artur Gurzi lirim me kusht Bujar Krasniqi

13. Av.Marash Ibraj lirim me kusht Femi Petku

14. Qazim Hoxha lirim me kusht Gjin Gjoni

15. Halil Gjyla ulje dënimi Gjin Gjoni

16. Gazmir Ngota ulje dënimi Gjin Gjoni

17. Eunard Hoxha ulje dënimi Gerd Hoxha

18. Harzime Ruko ulje dënimi Artan Broci

19. Altin Luzi ulje dënimi Gerd Hoxha

20. Ruzhdie Dalipi lirim me kusht Artan Broci

21. Edi Kani ulje dënimi Gerd Hoxha

22. Milto Pema lirim me kusht Petrit Çomo

23. Besim Xhometa lirim me kusht Sokol Tona

24. Luan Meçaj ulje dënimi Altin Abdiu

25. Marjo Myftari lirim me kusht Gerd Hoxha

26. Ilir Rama lirim me kusht Artan Broci

27. Artur Muça ulje dënimi Sokol Tona

28. Sokol Koçiu lirim me kusht Arben Micko

29. Hedije Kollaku ulje dënimi Kreshnik Omari

30. Niko Xhumba lirim me kusht Artan Broci

31. Hajro Çakërri lirim me kusht Gerd Hoxha

32. Nuredin Verçani lirim me kusht Martin Deda

33. Han Kolgjini lirim me kusht Arben Micko

34. Elis Gjyqi ulje dënimi Altin Abdiu

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›