E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e shqiptarit Agim Leka, ndalohen 4 persona



Policia italiane ka vënë në pranga katër shqiptarë, pas vrasjes së 20-vjeçarit Agim Leka, ditën e diel në Arezzo. Sipas policisë, viktima Leka do të martohej javën e ardhshme. Karabinierët kanë arrestuar edhe të plagosurin tjetër nga përplasja e ndodhur, Rodjan Ruçin. Sipas mediave italiane, dyshohet se shkak i konfliktit që çoi në vdekjen e një shqiptari dhe plagosjen e dy të tjerëve ka qenë prishja e pazareve të prostitucionit midis palëve. Gjatë gjithë ditës së djeshme, prokurorët italianë kanë marrë në pyetje të ndaluarit. Dyshohet se përplasja ka filluar për shkak të mosdhënies së lekëve për punën e bërë. Viktima kishte disa kohë që jetonte në Arezzo ku punonte si murator. Sipas dëshmitarëve, në anë të rrugës janë parë një grup personash, të cilët kishin nisur të debatonin me zë të lartë. Më pas, ata kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit. Shkëmbimi i zjarrit mes dy grupeve të shqiptarëve ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit të ditës së diel. Përplasja me armë ka ndodhur në rrugën “Toricelli”, konkretisht në vendin e quajtur Orciolaia. Për pasojë, 20-vjeçari Agim Leka ka mbetur i vdekur, ndërsa dy të tjetër janë plagosur, njëri prej të cilëve ende në gjendje të rëndë. I riu 20-vjeçar kishte mbërritur në spitalin e Arezzo-s me një makinë, e cila ishte larguar më pas menjëherë. Infermierët e spitalit San Donato kishin dalë jashtë, pasi kishin dëgjuar lutjen për ndihmë dhe kishin parë të riun shqiptar të shtrirë në tokë. Sipas medias italiane, Agim Leka kishte vdekur vetëm pak minuta më pas, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga plumbat e pistoletës. Dy shqiptarët e tjerë të plagosur kanë mbërritur në spital me ndihmën e një ambulance. Njëri prej të plagosurve është Rodjan Ruçi, 27 vjeç, i cili ka marrë plagë në kofshë dhe pasi është operuar është nën kontrollin e mjekëve, ndërsa nuk bëhet i ditur emri i personit të tretë, i cili sipas medias italiane, është edhe ai shqiptar. Ky i fundit ka plagë të shkaktuara ndoshta nga një kaçavidë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›