E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhomania



Nga Roland Lami

Në planin politik sondazhi i shërben demokracisë për shkak se shpenzohet më pak përpjekje për të zbuluar çfarë mendon shumica dhe më shumë për të shqyrtuar qëndrimet e opinionit publik. Në vende me demokraci të konsoliduar kjo metodologji është përmirësuar deri në atë pikë saqë një sondazh kombëtar konsiderohet i dështuar vetëm kur ai gabon në parashikimin e zgjedhjeve me më shumë se dy për qind. Sigurisht, një vend si yni, me mungesë tradite në këtë fushë, nuk mund të pretendojë parametra të tillë për shkak se nevojitet një kohë e caktuar që të konsolidohet, konturohet dhe të kthehet tamam në një instrument matës dhe parashikues.

Por, pavarësisht mungesës së përvojës duhet vlerësuar nisma e disa agjencive televizive që po tentojnë të fusin kulturën e sondazhit. Deri tani kemi tri kompani të kontraktuara me synim matjen e opinionit publik dhe parashikimin se kush mund të fitojë zgjedhjet e përgjithshme. Të dhënat e publikuara nga këto kompani deri tani i kanë ofruar publikut një panoramë të përgjithshme për preferencat e votuesit njëkohësisht dhe partive politike një mundësi për të përmirësuar taktikat e tyre elektorale. Por në krahun tjetër, fakti që ky instrument matës është i ri për shoqërinë shqiptare, ka sjellë që as gazetarët dhe as publiku të mos ndihen shumë rehat me dendësinë e të dhënave që publikojnë sondazhet. Kjo mungesë përvoje reflekton në disa aspekte që vlen të evidentohen.

Së pari, fakti që deri tani kemi tri kompani sondazhesh, tregon për një prirje të stacioneve televizive për të zhvilluar vetë sondazhe, qoftë për shkak të lidhjeve që mund të kenë me ndonjë krah politik, por më shumë nisur nga motive komerciale ku siç dihet, interesi i publikut për tema me natyrë politike në shoqëri si jona vazhdon të jetë shumë i madh. Në këtë prizëm, koha e kryerjes së matjeve ka filluar 4-5 muaj para zgjedhjeve, duke e shoqëruar çdo rezultat me komentet përkatëse që zgjasin me ditë. Kjo gjë ka krijuar një pështjellim tek publiku, për shkak se nuk është mësuar me të tilla teknika, por edhe për faktin se çështjet që mbart vetë sondazhi, nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me interesat e tij. Krijohet përshtypja që sondazhi më shumë i intereson medias dhe politikës sesa opinionit publik.

Një aspekt tjetër lidhet me saktësinë e sondazhit. Specialistët e Metodave të Kërkimit argumentojnë se rezultatet e sondazheve të botuara në mënyrë periodike kanë ndryshim nga njëri-tjetri në mënyrë të dukshme. Doemos ato nuk mund të jenë të gjitha të sakta. Një pjesë e madhe e këtij problemi vjen për arsye se metodologjia e tyre më e mirë rezervohet për sprovën e fundit, ajo që do të krahasohet me rezultatet e zgjedhjeve për të siguruar kështu një vlerësim të sondazhit dhe një imazh të mirë për kompaninë realizuese. Sondazhet e realizuara më përpara lënë shumë hapësirë për marzh të lartë gabimi, kjo, për një mori arsyesh metodologjike, si përcaktimi i një kampioni më të vogël se ç’nevojitet, metoda më pak të sakta për të identifikuar votuesit e mundshëm, shkalla e besueshmërisë gjatë plotësimit të anketimit etj.

Mënyra e interpretimit të të dhënave është gjithashtu një komponent shumë i rëndësishëm për deshifrimin e të dhënave dhe vlerësimin e elementëve që përmban sondazhi, por që për fat të keq, në mjedisin shqiptar ky aspekt analitik lë për të dëshiruar. Kjo vjen nga fakti se agjencitë televizive që janë përfshirë në organizimin e sondazheve, kërkojnë të kenë edhe ekskluzivitetin e komenteve të të dhënave, duke mobilizuar gazetarë dhe analistë për ta realizuar këtë gjë. Por harrohet një aspekt shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me natyrën e sondazheve ku njohuritë në lidhje me metodologjinë kërkimore përcaktojnë edhe nivelin e arsyetimit dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga sondazhi. Në këto kushte publiku nuk arrin të krijojë një ide për vlefshmërinë e të dhënave dhe domethënien e tyre në kontekstin social dhe politik.

Një çështje tjetër, që lidhet me sondazhet, ka të bëjë me masat e ndikimit tek opinioni publik. Edhe për këtë aspekt specialistët kanë mendimin se sondazhet janë relativisht të padëmshme në rastet kur të dhënat janë jo shumë të sakta për shkak se askush nuk i merr seriozisht. Sidomos me shtimin e numrit të kompanive që kryejnë sondazhe, krijohet një kaos të dhënash dhe interpretimesh që turbullojnë mendjen e publikut. Kjo situatë rrit masën e dyshimit ndaj vlerës së sondazheve dhe krijohet perceptimi se agjencia televizive është e instrumentalizuar nga politika për interesa të saj. Madje, argumentohet se edhe kur shpërfillet metodologjia në vetvete dhe synohet për të ndikuar me shifra tek masa e votuesve të palëkundur, ndikimi është shumë i përkohshëm.

Pavarësisht problemeve të parashtruara më lart, duhet theksuar se përdorimi i numrave dhe i metodave shkencore i jep medias më shumë besueshmëri sesa informacioni me mënyrat e raportimit tradicional. “Nëse gazetaria e saktë mund ta përqafojë me gjithë shpirt metodën shkencore në aplikimin e instrumenteve matëse, rreziqet e saj potenciale dhe abuzimet do të jenë të vetëkorrigjuara”, - shprehet ndër të tjera gazetari i njohur Filip Majer. Në këtë kuadër prania e defekteve në kryerjen e sondazheve në një realitet si yni konsiderohen normale. Dhe publiku, do tu besojë atyre për aq sa ato meritojnë të besohen, as më shumë, as më pak. Në fund do të jenë zgjedhjet ato që do të përcaktojnë vlefshmërinë e të dhënave, seriozitetin e kompanisë dhe vetë median që e ka kontraktuar atë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›