E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhoset një varr në Gjilan, Feith dhe qeveria dënojnë aktin

PRISHTINE-Një varr i një gruaje serbe në varrezat ortodokse të sebëve në Gjilan është dëmtuar. Përfaqësia e EULEX në Kosovë dhe qeveria e Kosovës kanë dënuar ashpër aktin duke apeluar se veprime të tilla dëmtojnë në radhë të parë vetë kosovarët.
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar dhe përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith dënoi të shtunën ashpër përdhosjen e varrit të një gruaje serbe në varrezat e qytetit të Gjilanit. “Ky është një akt i shëmtuar dhe destruktiv. Cilido qoftë motivi – kriminal, etnik apo fetar – ai meriton të dënohet me maksimumin e mundshëm . Ky lloj akti dëmton gjithë shoqërinë e Kosovës dhe demokracinë e saj’, ka thënë Feith.
“Nuk e theksoj dot sa duhet rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të riteve, vendeve dhe trashëgimisë fetare të të gjitha komuniteteve. Unë i nxis autoritetet përgjegjëse që t’i ri-dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur dhe restauruar veçanërisht varrezat ortodokse serbe në mbarë Kosovën”, ka potencuar Feith.

Ne, vijoi Feith, presim nga Policia e Kosovës që të kryejë një hetim të hollësishëm me përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Kosovës, në mënyrë që keqbërësit të vihen para drejtësisë. “Secili komunitet duhet ta dijë se gëzon përkrahjen e institucioneve të Kosovës dhe mbrohet në mënyrë të barabartë nga ligjet e saj”, ka thënë Feith.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar dëmtimin e varrit të qytetares së ndjerë kosovare, me përkatësi etnike serbe, Zivka Jovanoviv, në varrezat e qytetit të Gjilanit.
“Qeveria e dënon fuqishëm këtë akt të rëndë dhe e cilëson atë si akt vandal dhe kriminal që e dëmton frymën bashkëpunuese dhe bashkëjetesën mes komuniteteve në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Qeverisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›