Bashkimi me PS, Koçi: Kjo formulë nuk sjell shtimin e votave për të majtën
Formula e bashkimit të së majtës shihet me skepticizëm nga kryetari i PSV91, Petro Koçi. Sipas tij, e majta bashkohet vetëm nëpërmjet një kodi që garanton gjithëpërfshirje. “Ky është një veprim autonom i Gjinushit dhe Veliajt. Nuk e di se në ç’pikë është negociuar procesi, por nuk shton gjë në shportën e votave të së majtës, por ndikon në zgjidhje vetëm të këtyre”, thotë Koçi. Tashmë ka nisur të skicohet plani i opozitës për t’u “ngjizur” në një forcë të vetme pas zgjedhjeve të 28 qershorit. G99 dhe PSD i kanë hedhur tashmë sinjalet e tyre drejt bashkimit.
Por si e shikon këtë mision bashkimi, kreu i PSV91, Petro Koçi. Ai thotë se “e majta bashkohet nëpërmjet një kodi që garanton gjithëpërfshirje. Bashkimi vjen nëpërmjet përfaqësimit, jo nëpërmjet pazareve, por nëpërmjet votës. Nuk e konsideroj si lajm me shumë interes bashkimin e Gjinushit dhe Veliajt në Partinë Socialiste, por një akt ndaj të cilit unë si socialist nuk do ta kundërshtoja, por do të shtoja se ardhja e tyre nuk e mbush me vota shportën e PS-së”. Prej gjashtë vitesh në gjirin e së majtës flitet për krijimin e një federate të majtë, por duket se ky proces ka dështuar përderisa në horizontin politik të spektrit të majtë shfaqen strategji të reja. Një ditë më parë, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka hedhur sinjale të qarta se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste. “Patjetër që e majta ka nevojë për bashkim, pra për konsolidim dhe institucionalizim të një bashkimi. Ju e dini që PS-PSD kanë qenë vazhdimisht në këto terma, janë dy aleatët tradicionalë, nuk u sollën tamam si të tillë në zgjedhjet e fundit, kështu që është një gjë për t’u korrigjuar dhe kjo”, thotë Skënder Gjinushi.
Pas kreut të G99, Erjon Veliajt, radhëve të Partisë Socialiste do t’i bashkohet dhe Skënder Gjinushi. “Nuk ka asnjë habi që njerëzit e mirë dhe progresistë të bashkëpunojnë. Ka më shumë habi të shikosh Nanon, Berishën dhe Metën, të cilët janë në një triumvirat sundimi të këtij vendi prej 20 vitesh. Pra kur gjithë forcat e së keqes, pra ky aks i së keqes bashkëpunon, pse të mos bashkëpunojë edhe aksi i së mirës”, është shprehur Veliaj.
Pas G99, socialdemokratët pritet të shkrihen si subjekte politike për t’iu bashkuar socialistëve dhe për të kandiduar për postin e deputetit jo më nën siglën e tyre, por në siglën e Partisë Socialiste. Gjinushi komentoi dje dhe bashkimin e kreut të G99 me aleaten e madhe të përbashkët, selinë rozë.
Po ashtu ai komenton dhe kohën e shkurtër që i është dashur Veliajt, për t’u përfshirë në PS. "Flasim për marrëdhëniet PS-PSD, në lidhje me zotin Rama i dinë vetë marrëdhëniet e tyre", thotë Gjinushi. Si aleatë të socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit, as PSD dhe as G99, ashtu si Paskal Milo, nuk mundën të siguronin një deputet në Parlament, duke mbetur larg tij për këtë legjislaturë.
#