Taksat e importit stimulojnë rritjen e tregtisë për shitjen e makinave
Taksat e reja për makinat, që priten të hyjnë në fuqi, kanë stimuluar tregtinë e shitjes së makinave. Plani i qeverisë, i bërë publik në fillim të këtij viti dhe që u miratua rreth një muaj më parë, përcakton tarifa të tjera për llogaritjen e detyrimeve që lindin nga shitja e mjetit të transportit.
“Në grupin ‘Tregtia dhe riparimi i automjeteve’, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 25.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Krahasuar me tremujorin paraardhës ky indeks është rritur 12.2 për qind”, deklaroi dje INSTAT. Sipas taksës së re, do të paguhen detyrime edhe kur mjeti shitet brenda vendit, sikurse importohej, po me diferenca nga shumat e mëparshme dhe me ndryshime që lidhen me koeficientet e viteve të përdorimit.
Në tërësi, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të 2010-s arriti 164.8 për qind, kundrejt vitit bazë (2005). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 5.7 për qind. Krahasuar me tremujorin paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 7.8 për qind.
Në grupin “Artikuj të përzier kryesisht joushqimorë në njësi tregtare jo të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 16.7 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave”, pjesa që flet për sektorin e “Tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e parë 2010 është rritur me 0.2 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve” është rritur 17.1 për qind.
Indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e parë të këtij viti arriti 167.8 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është ulur 2.9 për qind.
Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti arriti 193.6 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) me rritje 5.6 për qind, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
#