E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bashkimit Evropian vlerëson përparimin e arritur nga Shqipëria gjatë vitit të fundit

Komiteti i Stabilizimit dhe Asociimit (SA) ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka  vlerësuar përparimin e arritur nga Shqipëria gjatë vitit. Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet para takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit, bëri të ditur ai në një njoftim të tij.

Komiteti e nxiti Shqipërinë që të ruajë vrullin e reformave, si dhe nënvizoi se për gatishmërinë për negociatat e pranimit vendi duhet të përmirësojë koordinimin, të rrisë burimet dhe komunikimin kushtuar integrimit në BE.

Komiteti vlerësoi faktin që zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 ishin përgjithësisht të organizuara mirë dhe kërkoi informacion mbi procedurat në vazhdim për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura, duke përfshirë planet për reformën e ardhshme zgjedhore.

Lidhur me reformën e administratës publike, Komiteti i kushtoi vëmendje vizionit të Shqipërisë për vitin 2030 dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të strategjive të reja sektoriale për vitin 2023 dhe më tej.

U theksua roli i rëndësishëm i shoqërisë civile në reformat e orientuara drejt BE-së. Komiteti nënvizoi përparimin e mirë të përgjithshëm të bërë në zbatimin e reformës së sistemit të drejtësisë, duke vënë në dukje nevojën për ta vazhduar atë.

Komiteti vlerësoi miratimin e zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut.

Komiteti vlerësoi disa përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rezultatet e prekshme të arritura, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in.

Komiteti theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të luftës kundër pastrimit të parave dhe të gjitha masave kundër produkteve të krimit, si dhe kujtoi angazhimin e nivelit të lartë politik për zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF).

Shqipëria duhet të vazhdojë ndërtimin e historikut të dënimeve të formës së prerë në rastet e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit dhe pastrimit të parave.

Komiteti vlerësoi bashkëpunimin e fortë me BE-në për menaxhimin e azilit dhe migracionit. Komiteti theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme, veçanërisht për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së. Politika e vizave e Shqipërisë mbetet ende për t’u përafruar plotësisht me acquis e BE-së.

Lidhur me të drejtat themelore, Komiteti vlerësoi miratimin e nëntë akteve nënligjore në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe rikujtoi se nevojitet përparim i mëtejshëm. Komiteti i SA-së diskutoi gjithashtu për konsolidimin e të drejtave pronësore, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe barazinë gjinore. Komiteti theksoi nevojën për të vazhduar përparimin në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Komiteti i SA-së përshëndeti angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe vlerësoi faktin që Shqipëria ka vazhduar dialogun për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilat mbeten thelbësore. Komiteti vlerësoi pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe vlerësoi përafrimin 100% dhe të vazhdueshëm të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Për sa i përket ekonomisë, Komiteti vuri në dukje se situata ekonomike dhe fiskale është mëkëmbur në Shqipëri pas goditjes nga pandemia COVID-19. Shqipëria nxitet që t’i përmbahet ligjit të saj organik të buxhetit, si dhe të finalizojë miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. U diskutua përafrimi me BE-në në fushat e prokurimit publik dhe kontrollit të ndihmës shtetërore. Komiteti i SA-së shqyrtoi strategjinë e re arsimore dhe financimin, agjendën digjitale, skemën e garancisë për të rinjtë, si dhe dialogun ndërmjet partnerëve socialë. Ai vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë në programin e ri kërkimor “Horizon Europe”. U diskutua për politikat industriale, doganore dhe tatimore, duke përfshirë pragjet e përjashtimit nga TVSH-ja. Për bujqësinë, Komiteti theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale për IPARD-in, si dhe vuri në dukje përparimin me regjistrat bujqësorë, çka duhet të vazhdojë. Diskutimi përfshiu gjithashtu politikat rajonale dhe ato të kohezionit, ndryshimet klimatike, ndërlidhjen, strategjinë e energjisë dhe tranzicionin e energjisë, si dhe mjedisin, duke përfshirë zonat e mbrojtura, menaxhimin e ujit dhe mbetjeve.

Komiteti rikujtoi se IPA III e vë theksin te planifikimi strategjik, gatishmëria dhe pjekuria e projektit. Komiteti vuri në dukje ngritjen së fundmi të një agjencie të re për koordinimin e donatorëve (SASPAC) dhe nevojën për sqarim të mëtejshëm të roleve dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe ndërveprimet me aktorë të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›