E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkitë dhe komunat po abuzojnë me fondet sociale”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Me vendim të Këshillit të Ministrave, javën e ardhshme një grup i posaçëm ndërministror do të fillojë punën për evidentimin real të familjeve në nevojë. Sipas kryeministrit Berisha, pavarësisht se buxheti social në këto vite të qeverisjes së djathtë, është rritur ndjeshëm, numri i njerëzve që vuajnë urinë janë më të shumtë në numër se shifrat zyrtare dhe kjo për shkak të neglizhencës së autoriteteve lokale. Kreu i qeverisë ka kërkuar vëmendje maksimale për shtresat në nevojë, duke u ofruar atyre shërbimin shëndetësor parësor falas, si dhe bursa studimi për fëmijët e këtyre familjeve. Berisha ndër të tjera tha: “Në tre buxhete, ndërkohë që këtë vit bëhet buxheti i katërt, pra në 4 vjet, kemi rritur buxhetin social, nëse do ta emërtonim në këtë mënyrë pjesën sociale të buxhetit. Ajo ka qenë 6.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa sot është 9.3 për qind. Por sërish, janë një kategori qytetarësh, të cilët përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një kohë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të thella, në një kohë kur vendi në tërësi është shumë larg tyre. Përse injorohet nëna me 3 fëmijë që i mban ata vetëm me pensionin e bashkëshortit të saj, të cilin nuk e ka më në jetë?. Një nënë nga Pogradeci, më drejtohet: Me çfarë do t i paguaj paratë për universitetin e vajzës sime, pasi kam vetëm këto të ardhura, pra pensionin e bashkëshortit. Këto familje dënohen me mjerim, forma më e rëndë e dënimit njerëzor. Po i referohemi vetëm ndihmës sociale; mbi 100 apo 150 milionë dollarë ne i japim për këtë ndihmë në forma të ndryshme. A ka njerëz të cilët nuk mund t i marrin ilaçet sipas të gjitha dokumenteve të këtij shteti? Absolutisht që ka, sepse të ardhurat e këtyre njerëzve në mjerim aq janë. A ka familje e cila duhet të hyjë në borxh për të paguar kuotën që i kërkohet për të futur fëmijën në universitet? Sigurisht që ka. Kjo ndodh në një kohë kur ne kemi rritur më shumë se çdo vend tjetër faturën sociale. Nuk po ndalem këtu në abuzimin real që bëhet. Por, gjithsesi, dua të theksoj se qeveria qendrore, nuk mundet në asnjë rrethanë që të shenjojë secilën prej këtyre familjeve, por ata nuk janë pa qeveri, pasi kanë qeveritë vendore. Aty janë jo vetëm qeveritë lokale, por janë edhe prefekturat, qarqet. Sepse, edhe nëse ndodh që del një kryetar bashkie apo komune shpirtkazmë që nuk ndalet dhe i thotë një qytetari të tillë se po të ndihmoj edhe këtë muaj apo dhe këtë tjetrin, nuk ka nevojë t i themi këtij individi këtë gjë, por ne i kemi të gjitha mundësitë ta mbulojmë për problemet më bazale të jetës. Por, kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë, si dhe prefekti që “fle” mbi këtë problem, shton në listën e personave në nevojë ekonomike edhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë sesa edhe ai vetë. Të qenit i papunë është një dhimbje e vërtetë. Por kam konstatuar jo pak raste, të cilat i kam ndjekur me vëmendje dhe është vënë re që vërtet këta persona nuk kanë qenë në punë shteti, por kanë pasur biznese të tyre dhe ndoshta kanë qenë dhe në asistencë sociale. Ndonjëherë krijohet përshtypja se ka mbetur psikologjia e skamjes dhe mospasjes si një justifikim i pamerituar. Po t u referohemi qyteteve, të paktën atyre kryesore, nëse do shkonit të interesoheshit se sa apartamente rezervë kanë për të ofruar në raste fatkeqësish, kur dëmtohet një shtëpi, apo ajo prishet, sepse e zë plani i rrugës, do të shikoni që nuk ka të tilla. Pra, të paktën bashkitë e mëdha, nëse do të kishin vullnetin dhe shpirtmirësinë, do të blinin 5 a 10 apartamente rezervë, jo në qendër të qytetit, por diku në periferi. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që nuk ka asnjë strehë për t u ofruar njerëzve në fatkeqësi, njerëz të cilët për një arsye apo për një tjetër kanë humbur realisht mundësinë për t iu përgjigjur detyrimit. Ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror, që do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, të Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave. Për sa i përket përfshirjes së Ministrisë së Arsimit, kjo për faktin sepse kemi të bëjmë me bursat. Vitin e kaluar ne i dyfishuam ato, por ne mund t i trefishojmë ato. Ne duhet të përcaktojmë qartësisht dhe në mënyrën më transparente individët dhe familjet që janë në pamundësi reale ekonomike dhe që duhet të ndiejnë mbështetjen tonë. Ne do të vazhdojmë të rimbursojmë, por kjo skemë duhet të nisë në radhë të parë nga ata që janë në pamundësi të plotë. Qeveritë vendore sigurisht që janë qeveri të zgjedhura dhe kjo është e vërtetë, por nëse ka një gjë që duhet të kontrollohet nga të nderuarit zotërinj prefektë, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave atje ku ushtrojnë veprimtarinë, është pikërisht mbështetja që u jepet atyre që janë më në nevojë dhe sigurisht edhe çështja e sigurisë në zonat përkatëse ku ata janë. Ndaj, duhet të përcaktojmë forma kontrolli të përshtatshme. Duhet të diversifikojmë alokimet e ndihmës dhe, në rast nevoje, në mënyrë të padiskutueshme ne e rrisim atë. Por u garantoj se të gjitha statistikat faktojnë se varfëria është në rënie dhe kjo përputhet me të gjitha studimet e bëra. Kjo nuk do të thotë se nuk ka familje në mjerim ekstrem, sepse ka të tilla, ka familje që kanë detyrime dhe ata nuk kanë asnjë lloj mundësie për t iu përgjigjur këtyre detyrimeve, për shkak të ngjarjeve të papritura në jetën e tyre. Ne si qeveri nuk mund të rendisim dot të gjitha, por qeveritë vendore i identifikojnë ata pa asnjë vështirësi. Ndaj, duhet të krijojmë të gjithë mekanizmin ligjor që të targetojmë para së gjithash këto familje. Por personat me vështirësi ekstreme janë të përjashtuar nga këto, pasi i ka përjashtuar natyra, kanë humbur familjarët, i kanë përjashtuar rrethanat, u kanë rënë kryefamiljarët në burg, etj. Grupi ndërministror duhet të ngrihet me shpejtësi dhe javën që vjen duhet të nisë punën. Ky grup duhet të dalë me propozime konkrete, me të gjitha ndryshimet e nevojshme të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese. Grupi i punës duhet të marrë të gjithë ekspertët e nevojshëm dhe duhet të përfshijnë në këtë grup edhe shoqatat, shoqatën e kryetarëve të bashkive dhe komunave, përfaqësues të qarqeve, pasi ata i njohin më mirë problemet dhe duhet të bëhet një rrjetëzim i tërësishëm i kësaj çështjeje”,- përfundoi kryeministri Berisha.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›