E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i buxhetit, përplasje PS-LSI edhe në Korçë

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përplasen përsëri, por këtë herë për buxhetin e Bashkisë së Korçës. Një ditë para votimit të buxhetit të Bashkisë së kryeqytetit, LSI nuk merr pjesë në mbledhjen për votimin e buxhetit në qytetin juglindor. Largimi i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të kësaj partie, por dhe atyre të PD-së, çoi në dështimin e mbledhjes. Kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, sqaroi se qëndrimi i LSI-së dhe PD-së ishte i parapërgatitur për faktin e thjeshtë se përfaqësuesit e tyre fillimisht ishin të pranishëm dhe më pas u larguan për të mos bërë kuorumin e nevojshëm të votave. Nga 35 anëtarë të Këshillit Bashkiak, 18 anëtarë përfaqësues të PD-së dhe dy të LSI-së bojkotuan mbledhjen, duke bërë që votimi të dështonte. Kryetari socialist i Bashkisë së Korçës deklaron se vota kundër e LSI-së ishte e paralajmëruar pas vizitës së dy ditëve më parë në Korçë, të Petrit Vasilit dhe një tjetër përfaqësuesi të LSI-së. Peleshi është i bindur se qëndrimi i këshilltarëve të LSI-së ishte vetëm spekulim politik. “Projektbuxheti ka ardhur si rezultat i një bashkëpunimi gjatë gjithë vitit. Në rrëzimin e tij u reflektua qartë qëndrimi politik. Besoj se projektbuxheti do ta gjejë rrugën e miratimit, pasi i besoj ndjenjës qytetare të këshilltarëve. Ky spekulim politik do të sjellë një reagim qytetar, i cili do t i rezistojë atij politik”, - theksoi ai. Ndërsa zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, i ashpërsoi edhe më tej tonet, duke pohuar se pas Tiranës edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilirit dhe Monikës. “Edhe në Korçë Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005 duke na treguar dhe një herë se mes PS-së dhe PD-së ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005-ën. Mes nevojave të qytetarëve e mllefit politik, ai ka zgjedhur politikën e mllefit si në 2005-ën. Ne u bëjmë thirrje socialistëve që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin në 2005-ën, që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës”, - tha ajo. Pas akuzave të PS-së ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili pohoi se miratimi i projektbuxhetit për Bashkinë e Korçës dështoi për shkak të shtyrjes së mbledhjes dhe jo të votës kundër të LSI-së. Ai shtoi se LSI nuk ka deklaruar edhe votën e saj në lidhje me këtë çështje.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›