Bashkitë e majta, si bazamente logjistike e financiare të një klani politik apatrid
Është fakt i pamohueshëm tashmë që kreu i PS, Edi Rama, i ka kthyer bashkitë e qeverisura nga drejtuesit e majtë si bazamente logjistike e financiare për të ndërtuar një profil të pranueshëm media-politik. Dje, Rama shkoi në Elbasan tek Lal Qazimi (Sejdini), i cili kishte mbushur sallën e teatrit “Skampa” jo vetëm me punonjësit e bashkisë, por edhe familjet e tyre duhet të ishit prezentë në skenografinë e shfaqjes së kryetarit në shpërndarës teserash partie. Të njëjtën gjë bëri para ca ditësh në qytetin e Fierit dhe të Kavajës, ku kryetarë bashkish sillen sikur të ishin vasalët të Ramës. Keqpërdorimi i bashkive është një ves i kahershëm i socialistëve, që të inkurajuar nga ish-modeli Rama në Tiranë, i kanë kthyer bashkitë në çifligje personale, ku interesi i përgjithshëm mohohet haptazi ndërsa vlon ngushtësia e interesave vetjake. Në pamundësi për të konkretizuar ide, i duket më e udhës të japë idenë se po ndryshon, paçka se nuk mjafton për të mbuluar dy vite politikë radikale plot dhunë e gjak në rrugët e vendit. Veshja e lëkurës së qengjit i shërben ujkut për t’u afruar paqësisht, në mënyrë që kafshimi dhe dhimbja të dëgjohet më pak nga barinjtë ndërkombëtarë.
Megjithatë ky tur i dytë i Edi Ramës në bazë vjen direkt pas udhëtimit të parë për të “shitur” librin me kujtime, sipas Ramës, “Kurban”. Ky libër i kthyer në një manifest politik dhe ku kryetarët e bashkive afër kryesocialistit bënin garë mes tyre secili blinte më shumë kopje “Kurbani”. Këtë garë e fitoi siç e kemi shkruar më parë, Vangjush Dako, Kryebashkiak i Durrësit të fikur nga ndërtimet paleje dhe që jeton vetëm një stinë për shkak të paaftësisë se një drejtuesi pa vizion, i bllokuar nga makinat e betonit. gjithsesi gara ka qenë e gjatë dhe e vështirë sepse Bashkitë e Korçës, Vlorës, Fierit, Sarandës, Kavajës, Elbasanit, Lushnjes dhe Tepelenës kanë rivalizuar midis tyre me oferta gjithmonë në ngjitje.
Sakaq sot po këto bashki socialiste gjenden të predispozuara të “rekrutojnë” tesaraxhinj të rinj për gatimin e një imazhi të pranueshëm, afër shpresës që rrezatojnë të rinjtë që angazhohen në politikën e majtë. Oferta është e thjeshtë dhe e qartë me premtimin se kur të vijmë në pushtet jo vetëm do të gjeni punë pa konkurs, sipas formulës komuniste të lugës së floririt, por do të sundojmë shtetin. Për të rinjtë që kanë në gjak skuadrizmin fashist kjo gjë mund të duket tërheqëse. Mirëpo synimi i Ramës është personalizimi i tejskajshëm i partisë. Edhe pse personalizimi mund të jetë disi fiziologjik, d.m.th nëse vëzhgohet dhe nuk merr një përfytyrim karikaturesk, nuk është në kontrast me në një politikë të organizuar. Tek rasti i Ramës kemi të bëjmë me partinë personale, që nuk duhet të përzihet me nevojën që kanë partitë për të propozuar një lider si një moment sinteze, alternative, të dukshme dhe vendimmarrëse. Partia personale dëften gjendjen e skajshme të dekompozimit të një organizmi politik përfaqësues. Partia personale është forma post-moderne kthimit të politikës në një “gjë-teser”, pa rregulla, forma, rutinë, pa idealistet, pa latim kulturor komunitar. Kur ne shikojmë shpërndarjen e teserës së partisë socialistë fare mirë mund të imagjinojmë tollonat e mbijetesës për inerci. Por ky virus i njohur, që në të majtë po merr trajtat piktoreske dhe tonalitetin qesharak, vepron në thellësi duke infektuar shoqërinë me kultin e individit.
Sidoqoftë teserimi i të rinjve socialistë është një matrikullimin me zjarr i tufës së deleve që u thithet energjia vitale për hesape politike. Partia Socialiste është kthyer në një vrimë të zezë që sa më shumë energji të gllabërojë aq më shumë zgjerohet, dhe sa më shumë zgjerohet po aq shumë energji kërkon të gllabërojë, derisa të eksplodojë në një galaksi partish të vogla, siç i ka ndodhur të majtës në Greqi dhe në Itali.