Rrëshen-Kalimash, 230 milionë euro kredi

Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash do të rrisë borxhet e qeverisë, duke thelluar më tej deficitin buxhetor. Bëhet fjalë për borxhin prej 230 milionë eurosh që qeveria do të tërheqë nga dy bankat greke, “Alpha Bank” dhe “NBG”, marrëveshje e cila është miratuar nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, pa votat e opozitës. Por përveç interesave që qeveria duhet të paguajë për borxhin çdo vit, ajo duhet të paguajë një tarifë shtesë prej 3 milionë eurosh ditën që do ta tërheqë atë. Në letrën e dërguar Ministrisë së Financave nga bankat greke, ato kërkojnë që datën e parë të tërheqjes së borxhit të paguhen 2.7 milionë euro shpenzimet e agjentit, që është “Alpha Bank A.E” dhe 30 mijë euro rregulluesit, që është Banka Kombëtare Greke S.A. Po ashtu, tarifa prej 30 mijë eurosh do të paguhet për 10 vjet rresht, që është afati kohor i shlyerjes së kredisë. “Të gjitha këto vlera janë të pakthyeshme dhe janë pjesë e marrëveshjes së rregulluar sipas ligjit anglez”, thuhet në letrën për tarifën që i është dërguar Ministrisë së Financave. Por, nga ana tjetër, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar tërheqjen e kësaj kredie, në një kohë ku ka nivel të lartë të mosrealizimit të investimeve. Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj, sqaroi se vetëm nga rialokimet mund të arrihen financimet shtesë. “Qeveria kërkon të ratifikojë kredinë prej 230 milionë eurosh nga dy banka tregtare për të financuar rrugën Rrëshen-Kalimash, kur, nga ana tjetër, me nivelin e ulët të investimeve gjatë vitit që shkoi, vetëm nga rialokimet mund të arrihej shuma për financime shtesë. Përveç kësaj, ne si opozitë kërkojmë prezencën e ministrit të Financave, për të mësuar më shumë detaje rreth situatës me nivelin e realizimit të investimeve, që për vitin 2007 nuk shkoi më shumë 83 për qind, ndërsa për muajt e parë të vitit situata mbetet problematike, rreth 48 për qind. Kështu që ne do të braktisim Komisionin Parlamentar për Ekonominë, nëse ministri nuk paraqitet për të dhënë shpjegimet e duhura”, u shpreh Malaj. Tërheqja e kredisë parashikon ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, i gjatë 60 km, me katër korsi dhe me tunel bidireksional me ty tuba të operueshëm të ndarë në tre seksione: seksioni i parë Rrëshen-Reps, me gjatësi 19 km, seksioni i dytë Reps-Thirra, me gjatësi 27 km dhe seksioni i tretë Thirra-Kolsh, me gjatësi 14 km. Sipas Ministrisë së Financave, për financimin e kësaj kontrate ndërtimi përveç fondeve të alokuara në buxhet, ishte e nevojshme edhe sigurimi i një kredie, që u realizua nëpërmjet një procesi transparent për përzgjedhje të bankës kreditore. Për këtë qëllim, Ministria e Financave shpalli në “Financiar time” kërkesën për kredi deri në 230 milionë euro. Në vijim shprehën ofertën për pjesëmarrje në financimin e projektit “Raiffeisen Bank”, “City Group”, “Deutch Bank”, “BNP Parisbas”, “Alpha Bank”, “National Bank of Grecce”, Banka e Pireut, “ABA”, “ICB”, “ICM” “HSCB” dhe “Caylon Bank”. “Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha ofertave të ardhura nga bankat, rezultoi se oferta e përbashkët e “Alpha Bank” dhe “NBG” ishte oferta më e mirë për sa u përket termave të akreditimit dhe sigurimit të shumës së kërkuar të kredisë”, shpjegon Ministria e Financave. Shpallja e ofertës fituese u bë në qershor të vitit 2007. Duke qenë se buxheti i shtetit kishte fonde të mjaftueshme për financimin e vlerës së punimeve sipas kontratës përkatëse, marrëveshja e huasë u përfundua më 4 prill 2008, për bashkëfinancimin e kontratës.
Termat e huasë:
Principali 230 milionë euro
Maturimi 15 vjet
Periudha pa pagesë, principali 5 vjet
Shlyerja 10 këste të barabarta vjetore
Interesi Euribor +1.25 për qind
Interes-vonesa Interes + 2 për qind
Shpenzime të agjentit 30 mijë euro në vit
Shpenzimet e rregulluesit 1.2 për qind e kredisë