E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkohen për Kosovën

Pavarësisht rivalitetit në fushë, futbollistët shqiptarë të Kombëtares kuqezi dhe asaj të Zvicrës njëzëri e kanë nënshkruar një peticion drejtuar FIFA-s e UEFA-s, nga të cilat kanë kërkuar pranimin e Kosovës nën ombrellën e tyre. Kreu i shtëpisë së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, beson se kjo iniciativë do të jetë shtytje për këto dy institucione, që ta përshpejtojnë pranimin e FFK-së.

Pavarësisht se janë kundërshtarë dhe luajnë në përfaqësuese të ndryshme, futbollistët e Kombëtares kuqezi dhe shqiptarët që luajnë për Zvicrën janë bashkuar për një qëllim.

Ata të martën e kanë nënshkruar peticionin, përmes të cilit i janë drejtuar Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) që sa më parë ta pranojnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) si e drejtë universale e të drejtave të njeriut.

Përmes kësaj letre, ata shpresojnë të ndikojnë te dy shtëpitë e mëdha të futbollit ndërkombëtar që më në fund ta pranojnë Kosovën nën ombrellën e tyre, pas izolimit prej dekadash.

“Janë përfunduar të gjitha nënshkrimet, edhe të lojtarëve të Shqipërisë dhe atyre shqiptarë të Zvicrës. Qëllimi i të gjithëve është ndërkombëtarizimi i futbollit kosovar. Ata e kanë dhënë një mbështetje suplementare, është një shtytje që u bëhet FIFA-s dhe UEFA-s”, ka thënë kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.

Ai tregon se është takuar me të gjithë futbollistët shqiptarë, të cilët janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre dhe të lobojnë për integrimin e futbollit kosovar në rrafshin ndërkombëtar.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Vokrri loboi edhe në Federatën Zvicerane të Futbollit, por edhe te zyrtarët e FIFA-s, që Komiteti Ekzekutiv i kësaj të fundit në fund të shtatorit ta miratojë në mënyrën më të mirë kërkesën e kosovarëve për të zhvilluar ndeshje miqësore.

Vokrri drejt Zvicrës ka udhëtuar nga Gjermania, ku po ashtu kishte lobuar rreth ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. Për këtë, Vokrri ka marrë premtime nga udhëheqësit e futbollit gjerman se do ta mbështesin fuqishëm Kosovën në këtë drejtim. Gjatë qëndrimit në Gjermani, Vokrri është takuar me futbollistë që luajnë nëpër skuadrat gjermane.

Vokrri: UEFA s’ka çka bisedon me Serbinë

Ndërkohë, numri një i futbollit kosovar është ndalur të flasë edhe rreth deklaratave të fundit të presidentit të UEFA-s, Michel Platini, i cili të hënën ka thënë se do të bisedojë me Serbinë për ta gjetur një zgjidhje për futbollin kosovar, në mënyrë që ky i fundit të mos mbetet i izoluar.

Vokrri insiston se as FIFA e as UEFA nuk kanë nevojë të flasin me Serbinë për Kosovën, sepse kjo e fundit është shtet i pavarur dhe s’ka punë më me fqinjin.

“Platini mund të bisedojë me Serbinë sa të dojë, por për çështjet tona s’ka përse diskuton me serbët. Kosova është shtet nga 17 shkurti 2008 dhe FIFA e UEFA mund t’i marrin vendimet vetë, pa u këshilluar me askënd”, përfundoi Vokrri.

Krerët e FFK-së mbrëmë ishin mysafirë specialë në ndeshjen Zvicër–Shqipëri, ndeshje kjo që u zhvillua në kuadër të ndeshjes së dytë të kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›