E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lidhur me futbollin

Samir Ujkani po e shijon çdo moment në futboll. Portieri kosovar tregon se e kishte ëndërr që nga fëmijëria të luante në Itali dhe ajo iu realizua në vitin 2007, kur u transferua në Palermo. Përfaqësuesi shqiptar shpreson të luajë sa më gjatë, ndërsa ka folur edhe për jetën private, fëmijërinë në Kosovë dhe emigrimin në Belgjikë.

Samir Ujkani është i lidhur ngushtë me futbollin. Portieri kosovar e ka dhënë një intervistë për televizionin e Palermos, ku ka treguar shumëçka për jetën e tij sportive, por edhe private. Ai tregon se futbollin e kishte ëndërr gjithmonë dhe arritja në Itali ishte kulmi për të.

“E kam zgjedhur futbollin, sepse kur isha fëmijë në Kosovë të gjithë fëmijët luanim futboll. Çdo ditë mbroja dhe aty ka filluar gjithçka me futbollin”, rrëfen fillimisht përfaqësuesi shqiptar hapat e tij të parë si futbollist.

“Gjithmonë u kam thënë edhe prindërve se dëshiroja të luaja në Itali. Që kur isha 6 vjeç, ishte ëndërr imja të vija këtu. Dhe, në vitin 2007, kur më transferoi Palermo, ishte një ëndërr që u bë realitet”, shtoi ai.

Nga ajo kohë, ai ia ka vënë vetes detyrën të punojë pa ndalur që të demonstrojë se e meriton të jetë në Itali dhe shpreson të bëjë gjëra të mira në Palermo. “Unë po e shijoj një ëndërr dhe e falënderoj Palermon që ma dha këtë mundësi”, vijoi Ujkani i cili shpreson të ketë jetë të gjatë në futboll.

Ish portieri i Anderlechtit dhe i Novarës ka kujtuar kohën e luftës në Kosovë, prej nga së bashku me familje kishte marrë rrugën drejt Belgjikës, ku edhe ishte rritur. “Jam rritur në një vend dhe me një kulturë tjetër, por unë jam rritur me mentalitet të Kosovës dhe nuk e harroj asnjëherë faktin se nga vij”, nënvizoi ai.

23 vjeçari po e shijon jetën në Palermo, ku e pëlqen detin. Gjithashtu ai preferon më shumë të rrijë me familjen dhe me njerëzit që e duan dhe i do sesa të dalë natën vonë. Ujkani tregon se i pëlqen t’i luajë të gjitha sportet, derisa ka veçuar basketbollin, hendbollin, tenisin dhe pingpongun si më të preferuarat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›