Bashkurti: Sulmet ndaj ambasadorit Arvizu, me pasoja negative
Diplomati Lisen Bashkurti thotë se sulmet e Partisë Demokratike ndaj ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, do kenë pasoja negative.
Duke folur për Shqip, Bashkurti thotë: Zoti Arvizu është ambasador në detyrë. Për sa kohë ai është në detyrë, ai ka mandatin e përfaqësimit të Presidentit të SHBA-së në Shqipëri.
Në të gjitha rastet dhe në çdo rrethanë, ambasadori është institucion. Qëndrimi që kam dëgjuar nga disa eksponentë të lartë të Partisë Demokratike, që vazhdojnë të jenë mazhorancë drejtuese formalisht, nuk janë pozitive.
Ato janë një element negativ me konsekuenca negative. Tensionimi i marrëdhënieve individuale, bilaterale, njerëzor apo në çdo lloj niveli, është një dëm shumë i madh për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare.
Mendoj se duhet të jemi shumë të përgjegjshëm në deklarimet dhe qëndrimet që mbajmë ndaj trupit diplomatik, përfaqësuesve të ambasadave, përfshirë edhe ata të Ambasadës Amerikane.
Unë për veten time nuk arrij dot ta argumentoj apo ta arsyetoj një qëndrim të tillë, përveçse me disa elementë që nuk kanë të bëjnë fare me institucionet, parimet dhe me interesat kombëtare. Këto janë dalje jashtë kontrollit, janë arsyetime shumë mediokre, shumë dritëshkurtër, shumë koniunkturale, ndoshta klanore.
Jam i sigurt që ata nuk përfaqësojnë asgjë, qoftë edhe në qëndrimin politik të vetë Partisë Demokratike, apo të partive të tjera demokratike shqiptare./ep