Basket/ meshkuj Tirana, kampione për të tretin vit radhazi
Ditën e hënë, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, u zhvillua ndeshja e tretë finale midis Tiranës dhe Studentit në basketboll për meshkuj. Skuadra kryeqytetase, e cila sponsorizohet nga kompania “Vodafone Albania”, arriti fitoren e tretë në takimet finale ndaj Studentit dhe u shpall Kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi. Me rezultatin 87-84, skuadra e basketbollit për meshkuj Tirana arriti të marrë titullin kampion për sezonin 2009-2010. Ky sezon ka qenë shumë i suksesshëm për këtë skuadër. Pas fitores së Kupës së Republikës dhe Superkupës, Tirana shpallet edhe Kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. “Vodafone Albania” është sponsor gjeneral i klubit sportiv të basketbollit për femra dhe meshkuj të kryeqytetit që prej tetorit 2009. Si një shembull i biznesit të përgjegjshëm, “Vodafone Albania” ka qenë një mbështetje e fuqishme për sportin e basketbollit, sport i cili tërheq vëmendjen e një audience të lartë, veçanërisht të të rinjve.
#