E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, festë kampionësh, Sulaj premton dominim disavjeçar

Superiore Emocione dhe goleadë në Dinamo-Besa 4-3, për të zbutur një sezon për t’u harruar

Gola e shumë emocione në “Qemal Stafa” në mbylljen e kampionatit të 71 kombëtar, ku Dinamo-Besa ka ulur përfundimisht siparin e sezonit 2009-2010. Besa ka meritën e një ndeshjeje të bukur, por në fund është Dinamo që feston me fitore 4-3. Ndoshta kjo ishte një mënyrë e mirë për të zbutur paksa atmosferën e acaruar për shkak të “tolerimeve” të shumta në këtë edicion. Dy skuadrat ishin të pamotivuara, pasi nuk ishte në lojë asnjë nga objektivat madhorë të ezauruar tashmë, por kanë luajtur një ndeshje të mirë, me qarkullim të dendur të topit dhe aksione të shumta. Ka munguar grinta për një ndeshje 100% luftarake, por megjithatë rastet kanë qenë të pranishme në të dyja portat. Daniel Xhafaj ndez atmosferën në minutën e 17 me golin e avantazhit të Besës, që e kurorëzon atë edhe me “Këpucën e Artë” falë 18 golave të shënuar në këtë sezon. Dinamo pas shumë përpjekjesh barazon në të 41-n me golin spektakolar të Kulit. Pjesa e dytë nis me Dinamon në sulm. Elis Bakaj humbet një mundësi të mirë për të shënuar e këtu hyn në lojë rregulli i pashkruar i futbollit: “nëse nuk shënon, do ta pësosh”. Besa fiton një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Poçi, një ish-dinamovit për 6 sezone (nga 2003-2009), i cili del me karton të kuq në minutën e 70’. Kampionët provojnë me të gjitha mënyrat, por Besa duket e bindur të prishë festën e bluve dhe shënon golin e tretë me Mancakun. Fatjon Sefa ngushton rezultatin në 3-2, dhe pak minuta më vonë Bakaj barazon në 3-3 në minutën e 69’. Atëherë kur pritej që Dinamo e Besa ta mbyllnin në paqe (barazim 3-3) për të festuar së bashku trofetë, Sefa vë qershinë mbi tortë me golin e fitores 4-3, që i la më pas vendin festës së shampanjës dhe fishekzjarrëve për Dinamon kampione për të 17-herë. Muça ka shmangur polemikën për “tolerimet” apo të ardhmen, por ka preferuar të festojë. Ndërsa presidenti Besnik Sulaj thekson se “është merita e një pune të madhe që verën e kaluar me afrimin e lojtarëve dhe më pas, ndeshje pas ndeshjeje. I garantoj të gjithë që jo vetëm sezonin e ardhshëm, por për shumë vite me radhë do të shpallemi sërish kampionë. Kemi hartuar një strategji afatgjatë, duke mos punuar vetëm për një edicion, por për të qëndruar për shumë sezone në krye të kampionatit. Do të ruajmë 90 për qind të grupit aktual të lojtarëve dhe do të bëjmë përforcime në merkato”, ka thënë në fund Sulaj.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›