Dallku: Miqësoret i vlejnë më shumë trajnerit se sa neve
Aventura malazeze e Kombëtares së Shqipërisë ka nisur. Një pjesë e mirë e kuqezinjve të ftuar nga trajneri Josip Kuzhe janë vënë në dispozicion të teknikut kroat në hotelin “Dyrrahu”, që do të jetë rezidenca e Kombëtares gjatë fazës përgatitore për dy miqësoret, me Malin e Zi më 25 maj në Podgoricë dhe më 2 qershor ndaj Andorrës në Tiranë. Disa nga lojtarët e kampionatit shqiptar, por edhe shumë prej atyre që luajnë në kampionatet e huaja, por që kanë mbyllur impenjimet sezonale me skuadrat përkatëse, janë paraqitur dje në grumbullimin e përfaqësueses, përjashto Lorik Canën dhe Debatik Currin, të cilët pritet t’u bashkohen sot. Mes tyre është edhe Armend Dallku, mbrojtësi kosovar, i cili nuk nguron të theksojë se “atmosfera në radhët e lojtarëve është shumë e mirë. Trajneri ka afruar shumë futbollistë të rinj”. Sipas mbrojtësit të Vorskla Poltavës, “dy kundërshtarët e miqësoreve të këtij fundmuaji janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Mali i Zi është një ekip shumë i fortë. Ndërsa Andora do të jetë më shumë një test për të rinjtë”. Për sa i përket rëndësisë së ndeshjeve, Dallku thekson se ato “më shumë do t’i shërbejnë trajnerit se sa neve, por gjithsesi ne përgatitemi të japim maksimumin tonë për të marrë rezultatet pozitive në të dy takimet”. Për sa i përket aspektit personal, Dallku thekson se është në formë të mirë dhe i kënaqur nga paraqitjet me Vorsklan.
#