E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet 22 ekipe dhe 52 lojtare nen hetim

Janë Atalanta, Novara dhe Siena tre skuadrat e Serisë A ndaj të cilave prokurori Stefano Palaci do të hetojë rreth skandalit të basteve që ka tronditur futbollin Italian. Këto tre klube, që gjatë sezonit të kaluar luanin në Serinë B, akuzohen për përgjegjësi objektive në skandal, për shkak të përfshirjes së lojtarëve apo drejtuesve të tyre.

Nëse të gjitha akuzat do të konfirmohen, atëherë ndëshkimet do të nisin nga gjobat financiare e deri te penalizimi në klasifikim. Nga dokumentacioni i ofruar nga hetimet në Prokurorinë e Kremonës, të paktën për momentin ka shpëtuar Kievo, një tjetër skuadër elitare që dyshohej si e përfshirë.

Ashtu si parashikohej, në raundin e parë të hetimit, ka mbetur jashtë pjesa dërrmuese e skuadrave elitare në Itali, ndërsa në total, numri I skuadra të përfshira është 22. Ajo që bie në sy është se në hetim nga Seria B nuk mungojnë as emra të mëdhenj si Sampdoria, Livorno, Piaçenca apo Empoli.

Numri i personave fizikë nën hetim është 61, mes të cilëve 52 janë futbollistë që kanë qenë ende në aktivitet në momentin kur ka shpërthyer skandali i basteve, ndërsa mes tyre spikat edhe emri ikosovarit Rijat Shala që ka luajtur te Novara.

Përsa i takon ndeshjeve të dyshuara si të manipuluara, hetuesit do të përqendrohen në 33 takime të përfshira në dokumentacionin me 48 faqe për skandalin që I është dorëzuar Komisionit të Disiplinës për skandalin e basteve, ndërsa 29 prej këtyre ndeshjeve janë luajtur në Serinë B gjatë sezoneve të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›